LajmeMaqedoniTopLajm

Maqedonia bëhet pjesë e EU4Health, programit më të madh shëndetësor të Bashkimit Evropian

Maqedonia zyrtarisht i bashkohet programit EU4Health – programit më të madh të Bashkimit Evropian në fushën e shëndetësisë, duke hapur mundësi të reja për financimin e projekteve, modernizimin e sistemit shëndetësor dhe forcimin e shërbimeve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme për media njoftoi se marrëveshja për pjesëmarrjen e shtetit në program është nënshkruar në Bruksel, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të sistemit shëndetësor maqedonas me standardet evropiane.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes për EU4Health në Bruksel, kemi bërë një hap të rëndësishëm për shëndetësinë maqedonase. Bëhet fjalë për programin më të madh të Bashkimit Evropian në fushën e shëndetësisë. Anëtarësimi i vendit tonë përfaqëson një konfirmim të fortë të perspektivës evropiane të shtetit dhe të besimit në reformat që po zbatojmë”, tha ministri Aliu.

Ai sqaroi se programi ka një buxhet prej 4.4 miliardë eurosh, i cili do t’u mundësojë institucioneve maqedonase të marrin pjesë në thirrje evropiane, grante, prokurime publike, veprime të përbashkëta dhe partneritete me institucione nga vendet anëtare të BE-së dhe shtetet e tjera pjesëmarrëse.

Sipas ministrit, fondet do të mund të shfrytëzohen për projekte në fushën e shëndetësisë digjitale, parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve, programeve të skriningut, onkologjisë, shëndetit kardiovaskular dhe atij mendor, përgatitjes ndaj krizave shëndetësore, përmirësimit të qasjes në barna dhe produkte mjekësore, si dhe për fuqizimin e kuadrit shëndetësor.

Related Articles

Back to top button
Close
Close