LajmeMaqedoniTopLajm

Maqedoni, çdo i treti qytetar ka antitrupa të Covid-19

Çdo i treti qytetar ka antitrupa të Covid-19. Kështu tregoi hulumtimi i Institutit të imunobiologjisë i cili u realizua dy javë më parë në Shkup. Rezultatet e tilla sipas Institutit tregojnë se vendi është në gjysmën e rrugëtimit të tij për tu arritur imuniteti kolektiv, për çka është e nevojshme që sëmundjen ta kalojnë së paku 60% e qytetarëve.

“Përpunimi i të dhënave tregoi se 31%  e rasteve kanë antitrupa apo çdo i treti qytetar është prekur nga Kovid. Në analizë janë marrë monstra nga persona të cilët e kanë ditur se kanë qenë të infektuar, por edhe nga ata që nuk ishin në dijeni se kanë qenë të infektuar. Analiza është kryer me 1000 persona të cilët nuk kanë lidhje familjare”, tha Instituti i  imunobiologjisë.

Instituti ka testuar edhe punonjës shëndetësor të cilët janë vaksinuar me një dozë të “Pfizer” e që kanë rezultuar me sasi të lartë të antitrupave.  Vaksinimi i punonjësve shëndetësor vazhdon të rrjedhë, ndërkohë që për qytetarët ende nuk ka vaksina. Autoritetet pa detaje të reja lidhur me furnizimin e vaksinave. Ndërkohë që ministrja e Mbrojtjes Shekerinska deklaroi se nesër Qeveria pritet të diskutojë mbi çështjet që kanë të bëjnë me furnizimin e vaksinave.

“Pres që nesër në seancës e Qeverisë t’i diskutojmë një pjesë të çështjeve që kanë të bëjnë me vaksinat, ju udhëzoj deri te Institucionet kompetente për këto çështje. Me të vërtetë nuk kam informacione më të reja përpos atyre që njihet në opinion”, theksoi Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Aleanca për vaksina, përgjegjëse për programin Kovax përmes së cilës dërgohen vaksina në vendet me të ardhura të mesme apo të ulëta ka thënë se është në kontakt me të gjithë vendet për distribuimin e vaksinave dhe se për dërgim të vaksinave, duhet plotësim i kushteve. Shekerinska tha se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për të qenë pjesë e COVAX mekanizmit dhe se nuk ka ndonjë pengesë në distribuimin e tyre.

Deri më sot vaksinën kundër Kovid e kanë pranuar 4782 punonjës shëndetësor ndërkaq 137,022 qytetarë janë paraqitur për imunizim. Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 284 raste të reja me Kovid  ndërsa numri i të shëruarve është 449. Betejën e kanë humbur 21 persona ndërsa gjithsej janë testuar 1258 njerëz.

Related Articles

Back to top button
Close
Close