
Nga LSDM e akuzojnë VMRO-DPMNE-në se i ka mundësuar një kompanie të fitojë dhjetëra tenderë në vlerë të 10 milionë eurove, pikërisht në komunat që udhëhiqen nga VMRO-ja, përcjell TV21. Nga LSDM thonë se në këtë mënyrë, po keqpërdoren edhe paratë e kredisë hungareze.
“Kompania më herët, ka qenë e dyshuar për kurdisje të tenderëve në furnizime publike, gjejeni se ku, në Zelenikovë, komunë që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE. Bëhet fjalë për kompaninë “Izolimi Damjan Siljanovski eksport Import Shkup”, që për 4 vjet ka fituar rreth 50 dtenderë në vlerë të 10 milionë eurove, gati se të gjitha komunat nën kontroll të VMRO-DPMNE-së. Vetëm në 3 muajt e fundit, e njëjta kompani ka fituar tre tenderë me pesë kontrata në komuna të ndryshme të Shkupit, të gjithë të udhëhequr nga kryetarët e komunave të VMRO-DPMNE-së. Kjo kompani tashmë ishte ndjekur penalisht për manipulim tenderash në vitin 2020 kur Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Zelenikovës dhe gjashtë personave të tjerë. Edhe sot e kësaj dite është kompania e preferuar e kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE-së, duke fituar vazhdimisht tenderë për vite me radhë. Për shembull, ka fituar 13 tenderë në Komunën e Gazi Babës, 9 në Kavadar, ndërsa muajt e fundit ka fituar tenderë edhe në Butel, Kisella Vodë dhe Aerodrom. Tenderët e fundit që ka fituar janë financuar nga kredia hungareze, të cilën qytetarët do ta kthejnë me interes të lartë”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.








