LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM: Arsovska i injoron nevojat e shkupjanëve, ndërsa punëson kuadro të VMRO-DPMNE-së

LSDM ka reaguar në raport me punën e deritanishme të kryetares së Qytetit të Shkupit dhe kryetareve të tjerë në Shkup që vijnë nga VMRO-DPMNE. Ata thonë se Danella Arsovska dhe kryetarët e komunave në Qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së aspak nuk kujdesen për qytetarët.

Sipas tyre, Arsovska thotë se Qyteti nuk ka pasur para që të përfshihet në subvencionimin e çmimit të energjisë së ngrohjes.

“Qeveria do të mbulojë 80 për qind të dallimit mes çmimit real dhe aktual të ngrohjes qendrore, përderisa 20 për qind të tjera duhet t’i mbulojë Qyteti i Shkupit bashkë me komunat të cilat janë në përbërje të Qytetit. Dukshëm Arsovska nuk planifikon të japë para që shkupjanët të mos paguajnë ngrohje më të shtrenjtë, ndërsa këtë vit do të shpenzojë 670.000 euro për 109 punësime të kuadrove partiake të VMRO-DPMNE-së”, thonë nga atje.

Sipas LSDM-së, kjo është dëshmia e fundit e cila tregon se kryetarja Arsovska nuk punon për interesat e qytetarëve, por kujdeset vetëm për interesat personale dhe partiake.

Ata kanë deklaruar gjithashtu se Arsovska e ndërpreu projektin për Bas rapid transit, anuloi konkursin për punësimin e zjarrfikësve. Ndërsa siç thonë nga LSDM, bordet mbikëqyrëse, drejtuese dhe ndërmarrjet publike po i mbush me kuadro partiake.

“Janë strehuar 109 aktivistë dhe anëtarë të VMRO-DPMNE, ndërsa qytetarët i len vetë që të gjenden në kohë të krizës me energjinë e ngrohjes. Arsovska e bllokon zhvillimin e Qytetit të Shkupit dhe punon në kundërshtim me interesat e qytetarëve”, nënvizojnë nga LSDM.

Në fund shtojnë se Qyteti i Shkupit ka Buxhetin e tij dhe në vend se të kërkojë arsyetime për paaftësinë e saj, ajo përfundimisht duhet të fillojë ta punojë atë për çka është zgjedhur – të zgjidh probleme.

Related Articles

Back to top button
Close
Close