Rajon

Lojërat me Kosovën shtohen, por Kosova jashtë loje

Çudia diplomatike, që i la të gjithë pa mend, ishte njoftimi se dhëndrri i “dasmës shqiptaro-serbe” në Uashington do të ishte Izraeli (ndonëse Kryeministri Netanjahu nuk ndodhej fare aty në sallë) dhe mblesëria ishte amerikane. Kështu, ceremonia u kthye në një atmosferë të çuditshme (si ylber diplomatik), ku u implikuan katër palë me synime të veçanta: Kosova, Serbia, Izraeli dhe SHBA.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

 

Ky ishte perceptimi im i parë kur më 4 shtator 2020 po vëzhgoja në ekranin televiziv “skenografinë e shndritshme elektorale amerikane” në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e një marrëveshjeje midis kryeministrit kosovar, Avdulla Hoti, dhe presidentit serb, Vuçiq, me synimin e shpallur për të arritur “zgjidhjen përfundimtare” të procesit të bërë tërkuzë e nyje-nyje të konflikteve Kosovë-Serbi. Ky perceptim dhe kjo ndjesi më janë kristalizuar më qartë në përfytyrimin tim të zhvillimeve të mëtejshme, pasi jam njohur me pikëpamjet e vlerësimet e shumë vëzhguesve e analistëve ndërkombëtarë. Publicistë e politologë me emër e autoritet intelektual nuk vonuan ta cilësonin “skenografinë në Shtëpinë e Bardhë” si një “komedi diplomatike” të radhës mbi çështjen e Kosovës, që kësaj here ishte kryesisht në funksion të fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

 

Takimi për marrëveshje u kthye në pikëtakim për të mos u marrë vesh

Solemniteti i kësaj ceremonie ishte i madh dhe i veçantë, madje pak trullosës si për Vuçiqin e krekosur të Serbisë dhe për Hotin kokulur të Kosovës. Ceremonia po zhvillohej nën drejtimin e hijen imponuese të vetë Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në një sallë me dekor madhështor, të ndriçuar fort, në Shtëpinë e Bardhë. Dy protagonistët ballkanas qëndronin të stepur në këtë shou, si të thirrur me urdhër të luanin rolet, që nuk i kishin mësuar, e nuk dinin dhe aq mirë për të hedhur gjoja një ditë themelet e pajtimit serbo-shqiptar, që ata vetë nuk e konceptojnë ende si mund të jetë e si mund të bëhet. Dy protagonistët e trembur ballkanas e mbajtën edhe barrën e rëndë të bënin rrëfimet e tyre para Presidentit Trump, veprim që zakonisht nuk përfshihet në protokollin e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare midis shtetesh që kanë konflikt. Të gjorit Vuçiq kjo i kushtoi dhe një reagim shpotitës të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, që e krahasoi qëndrimin e tij në karrige me një skenë vulgare nga një film.

Pastaj, erdhi çudia më e madhe, që në vend të nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje sipas praktikave e procedurave të njohura ndërkombëtare, në ekranin e televizorit u panë Avdulla Hoti dhe Aleksandër Vuçiq tek nënshkruanin, secili për hesap të vet, nga një fletë letre të veçantë, pa stemë e pa vulë, si angazhim, jo ndaj njëri-tjetrit e shteteve respektive, por ndaj Presidentit të SHBA-ve. Nga kjo ceremoni nuk do të mbetet asnjë dosje e përbashkët si dëshmi për historinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-serbe. Madje, shpejt u bë e njohur se dy copat e letrës, që u nënshkruan nuk i kishin të njëjtat pika e të njëjtën renditje në tekst. E gjithë kjo skenografi dhe vlerësimet që i bëri Presidenti i SHBA-ve treguan se kjo “dasmë politiko-diplomatike shqiptaro-serbe” ishte organizuar në Uashington në radhë të parë si pjesë e fushatës elektorale të presidentit të SHBA-ve. Ky rezultoi të ishte suksesi i vetëm i llogaritur. Prandaj gazeta franceze “Le Monde” e përdori shprehjen “U mbars mali e polli një mi”, që dhe atë e rrëmbeu macja brace serbe, se Vuçiqi arriti ta hiqte nga tryeza e bisedimeve çështjen e njohjes së Kosovës, ndërsa Hotit i mbeti vetëm të vështronte me gisht në gojë se çfarë po bëhej në kurriz të shtetit që përfaqësonte.

Shumica e vëzhguesve politikë e diplomatikë dhe mjaft politikanë e diplomatë nëpër botë kanë vlerësuar se më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington jo vetëm nuk u arrit ndonjë marrëveshje përfundimtare shqiptaro-serbe, siç ishte përfolur paraprakisht, por nuk u nënshkrua kurrfarë teksti me dispozita serioze e detyrime të përcaktuara mirë për hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e konflikteve shqiptaro-serbe në Kosovë dhe nuk pati as ndonjë ujdi se cili do të jetë roli i SHBA-ve në vazhdimësi. Si sukses të këtij takimi mund të përmenden vetëm tre episode, por që nuk kanë të bëjnë me vetë thelbin e konfliktit shqiptaro-serb:

  • Diplomacia amerikane e arriti objektivin që takimin për konfliktin në Ballkanin Perëndimor ta instrumentalizonte në dobi të fushatës elektorale në Amerikë;
  • Diplomacia amerikane siguroi jashtë hapësirës së Lindjes së Mesme si mbështetës të Izraelit një vend e komb me shumicë myslimane, Kosovën e shqiptarët, në ballafaqimin politiko-diplomatik me vendet islame;
  • Diplomacia amerikane e përforcoi qasjen dhe prirjen e saj për të zgjidhur edhe mosmarrëveshjet më të ashpra midis shtetesh e popujsh të armiqësuar nëpërmjet “diplomacisë ekonomike e praktikave tregtare”, në vend të mjeteve klasike politike e ushtarake. Për ta imponuar edhe më hapur këtë filozofi të re diplomatike sulmuese amerikane, diplomati Grenell bëri vizitën në Prishtinë më 21 shtator 2020.

 

Shumë larg ka mbetur Uashingtoni nga Kemp Dejvidi (pajtimi Egjipt-Izrael)

Çudia diplomatike, që i la të gjithë pa mend, ishte njoftimi se dhëndri i “dasmës shqiptaro-serbe” në Uashington do të ishte Izraeli (ndonëse Kryeministri Netanjahu nuk ndodhej fare aty në sallë) dhe mblesëria ishte amerikane. Kështu, ceremonia u kthye në një atmosferë të çuditshme (si ylber diplomatik), ku u implikuan katër palë me synime të veçanta: Kosova, Serbia, Izraeli dhe SHBA. Dy nga këto palë, Izraeli dhe SHBA, e morën qysh aty atë që synonin. Administrata e Trumpit e plotësoi edhe dëshirën që çështjen e konfliktit serbo-shqiptar në Kosovë ta përfshinte në sukseset më të fundit të diplomacisë së saj për Lindjen e Mesme. Administrata amerikane e reklamoi si fitore angazhimin e Serbisë (që kjo vazhdon ta mohojë) e të Kosovës që të vendosin në të ardhmen ambasadat e tyre në Jerusalem, si kryeqyteti i Izraelit. Për këtë, presidenti amerikan shpalli edhe njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga Izraeli. Kurse palët më të implikuara në ngjarjet për të cilat po bëhej takimi në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht Kosova e Serbia, u detyruan të nënshkruanin, secila copën e letrës së vet, si angazhimet para SHBA-së se mund t’i shtynin në kohë hapat që do të hedhin më vonë për rregullimin e konflikteve që kanë. As në copën e letrës së nënshkruar preja, pala kosovare, nuk ka guxuar ta përmendë kërkesën për “njohjen diplomatike të ndërsjellë midis Kosovës e Serbisë”, për të cilën Hoti ishte zotuar kur u nis nga Kosova se do ta sillte si sihariq për shqiptarët, kur të kthehej nga pelegrinazhi diplomatik në Amerikë.

Ishte e “papritur” dhe e bujshme kur presidenti amerikan e vendosi trajtimin e problemit konfliktual serbo-shqiptar në një kontekst më të gjerë, jashtë Ballkanit, më shumë në kuadrin e gjeostrategjive të zhvillimeve në Lindjen e Mesme sesa në Ballkanin Perëndimor. Izraeli u shfaq papritmas si boshti më i rëndësishëm i lojës diplomatike që po bëhet. Është një lojë e re që sapo ka nisur dhe që nuk ishte pikasur më parë se po përgatitej. Për herë të parë problemi e pozicioni shqiptar (kupto Kosovë e Shqipëri) dhe i Ballkanit Perëndimor po inkuadrohen në këtë mënyrë në tablonë gjeopolitike të Lindjes së Mesme nga një president amerikan. Pra, nuk mbetet më vetëm në suazat e hapësirës së problemeve gjeostrategjike europiane. Për më tepër, Presidenti Trump e vlerësoi shumë rolin e shqiptarëve, si komb me shumicë myslimane të moderuar, dhe quajti këtë një shembull që mund ta ndihmojë strategjinë amerikano-izraelite edhe në zona të tjera islamike.

Për “çudi”, disa vëzhgues e komentatorë në Shqipëri reaguan në mënyrë nervoze e të keqe ndaj kësaj qasjeje të presidentit amerikan dhe u kthyen tek një kundërshtim i mbrapshtë që patën bërë shumë politikanë, kryesisht ish-ministra të jashtëm të Shqipërisë, ndaj një qasjeje të njëjtë që e pat shpallur ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratino, para disa vitesh gjatë një vizite në Shqipëri, ku kishte ardhur për të kërkuar ndihmën e diplomacisë shqiptare në qetësimin e furisë anti-europiane, që u ngrit në botën islamike si reagim ndaj disa gazetave daneze e franceze, të cilat botuan karikatura fyese për profetin Muhamed. Pra, edhe një herë tani analistët e politikanët shqiptarë, të verbuar nga “anti-feja e laicizmit dhe e ateizmit” dhe të prirë nga islamofobia e shëmtuar, treguan se nuk duan ta kuptojnë si duhet që Europa e Amerika realitetin fetar shqiptar me shumicë dërrmuese të njerëzve në fenë islame e shohin si vlerë e jo si antivlerë për Perëndimin. Qëndrim tipik i analistëve me mendësi provinciale e servile.

 

Takimi i 4 shtatorit solli dinamikë të re në rivalitetin SHBA-BE në Ballkan

Mënyra si e lidhi dhe si e shpalli diplomacia amerikane realitetin e dobishëm fetar shqiptar të Ballkanit Perëndimor (kryesisht të shqiptarëve të ndarë në 6 shtete) dëshmon se rivaliteti midis SHBA me Europën Perëndimore në Ballkan po merr një përmasë dhe një kahje të re. Zhurma e madhe bëhet vërtet për t’u përballur me ndërhyrjet ruse e kineze, por veprimet m ëtë vendosura e më të dukshme SHBA po i bën këtu si pjesë të rivalitetit me BE dhe me Gjermaninë. Prandaj nuk i mungoi ironia shprehjes së diplomatit amerikan Grenell se ai do të punojë për zgjidhjen ekonomike të problemeve në këtë zonë, kurse simbolikën politike të zgjidhjes ia lë BE-së të merret me të.

BE-ja nuk ka treguar aspak zotësi e largpamësi në këtë drejtim dhe tani sikur po çorientohet më shumë nga interesimi amerikan. Këtë e dëshmon vetë përgjegjësi për politikën e jashtme të BE-së, spanjolli Borel, me fjalët dëshpëruese: “Nëse nuk arrihet stabiliteti midis Kosovës e Serbisë, BE-ja e ka humbur qëllimin e saj” (gazeta”Sot”, 14 shtator 2020). Europa duhet të kuptojë më në fund dhe shumë gabime të tjera që ka bërë e bën ndaj shqiptarëve, kur trajton problemet që këta kanë me serbët e Serbinë. Shtrimi i një piste të re amerikane drejt Ballkanit Perëndimor, me Izraelin si aktor me rol të veçantë në skenën teatrale politike ballkanike, provon se BE-ja po e ndjen se ka mbetur shumë mbrapa në kohë dhe është shumë konfuze në strategji lidhur me gjetjen e zgjidhjes për konfliktin shqiptaro-serb. Por, megjithatë, shqiptarët duhet të kenë kujdes në interpretimin e fjalëve të Borelit, se ato mund të përdoren edhe si thupër për veshët e shqiptarëve, që këta t’i bëjnë edhe më lëshime Serbisë, se përndryshe “Europa rrezikuaka ta humbë qëllimin e saj”.

Shenjat janë se qeveritë europiane janë ende larg kuptimit të realitetit dhe kërkojnë që shqiptarëve edhe më tutje t’u japin vetëm këshilla boshe dhe t’u bëjnë presione konkrete, që të mos përqendrohen në interesat e tyre kombëtare, por të vihen gjithnjë e më shumë në shërbim të konjukturave europiane. Tipike janë qëndrimet e fundit të politikanëve italianë, ish-Kryeministrit Romano Prodi dhe kryeministrit aktual Konte, për gjoja rrezikun e rritjes së ndikimit të Turqisë në Shqipëri. Ata kanë propozuar që BE-ja të bëjë një strategji të veçantë për t’iu kundërvënë pikërisht Turqisë në terrenin shqiptar, jo Serbisë ose Greqisë. Kështu, diplomacia italiane (e një vendi që i takon të jetë më miqësori e më mirëkuptuesi ndaj halleve të shqiptarëve në rajon) po kthehet tek taktikat e saj aspak të mençura të fundit të shekullit XIX e fillimit të shekullit XX, kur rivalizonte për xhelozi me miken tjetër të shqiptarëve dhe aleaten e Italisë, Auustro-Hungarinë, dhe i sillte kështu ngatërresa Shqipërisë, duke inkurajuar armiqtë e saj serbë e grekë. Jo vetëm interesat e Shqipërisë, por edhe përmirësimi i gjendjes në Ballkan dhe ftillimi i politikës së BE-së do të shërbeheshin mirë nëse midis Italisë e Turqisë të kishte përkujdesje të përbashkët për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët të dalin nga vështirësitë e shumta që kanë tani. Me sa duket, diplomacia italiane vuan ende nga perceptime të vjetëruara të çështjeve shqiptare.

 

Çfarë vendi mund të ketë tani e tutje Kosova në gjeostrategjinë amerikane

Kam përshtypjen se veprimtaritë amerikane në Ballkanin Perëndimor kanë filluar të shqetësojnë përgjegjësit e diplomacisë së BE-së, sidomos të vendeve kryesore të saj, Gjermaninë e Francën. Prandaj më duket si e vetmja arritje konkrete dhe ngushëlluese që patën Kosova e shqiptarët nga turli-veprimtaritë ceremoniale më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë duhet parë ajo që çështja e Kosovës u bë për herë të parë “subjekt politik fushator” për zgjedhjet e presidentit të SHBA-ve. Meritë të madhe për këtë duhet t’i njohim jo vetëm presidentit aktual, Donald Trump, e përfaqësuesit të tij, Grenell, që e kishte shpalosur me kohë këtë synim, por edhe kandidatit tjetër për president, Xho Bajden, që nuk humbi fare kohë të përfshihej në debatin rreth Kosovës, duke thënë disa fjalë të pakta, por shumë kuptimplote: “Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka të bëjë më me Serbinë”. Këto fjalë mund të marrin më shumë peshë të nesërmen e zgjedhjeve në fillim të muajit nëntor 2020, në varësi nga rezultati i votimeve. Por, qysh tani fjalët e Bajdenit kanë përcaktuar një kuadër të dytë politik në nivel debati presidencial për Kosovën në politikën e në diplomacinë amerikane.

Fjalët e Bajdenit pohojnë një qëndrim për vazhdimësi të vijës së ndjekur nga SHBA, nën presidentët Bill Klinton e Xhorxh Bush Jr., dhe na përforcojnë idenë tonë e na japin shpresa plotësuese se kjo vazhdimësi nuk është e lehtë të ndërpritet nga qasjet e reja politiko-diplomatike në frymën e “tezave të Grenellit”, për të komercializuar zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb për Kosovën, për ta braktisur e mbyllur atë vetëm me “njohjen ekonomike të Kosovës nga Serbia”, duke e degraduar njohjen politike si një “simbolikë që nuk vlen shumë” ose për t’ua lënë në dorë vetëm europianëve zgjidhjen kryesore, që mund të jetë vetëm politike. Me “filozofinë e tij diplomatike”, ndoshta për bindje teorike jo me qëllim të keq, ambasadori Grenell mund t’i sjellë dëme Kosovës. Kjo filozofi e shpërfytyron natyrën historike, kombëtare, politike të konfliktit shqiptaro-serb dhe e paraqet atë vetëm si një konflikt të rëndomtë me karakter social, si një rrjedhojë e varfërisë në Kosovë që mund t’u kuruaka e shëruaka në mënyrë më efikase, me lëmosha financiare nga jashtë dhe me vënien e Kosovës në pozitën e kolonisë ekonomike të Serbisë më të zhvilluar, pra me zbatimin e projektit, që u bë në marrëveshjet e Rambujesë në vitin 1999.

Më 21 shtator 2020, në fushatën e “përpunimit psikologjik” të shqiptarëve për më shumë lëshime, u përfshi sërish ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnet, që e përdori formulën “për të pasur marrëveshje duhen arritur kompromise”. Por, së pari duhet pyetur për çfarë kompromisesh mund të jetë fjala që të bëjë Kosova, se për shumë dekada vetëm Kosova po i bën lëshime Serbisë. Veç kësaj tashmë është e qartë, siç e tregoi dhe Vuçiqi në Uashington, se Serbia pranon vetëm një kompromis që mund t’ia ofrojë politika e diplomacia kosovare dhe ajo ndërkombëtare: që të nënshkruhet e vuloset një marrëveshje e “vetërobërimit të ri të Kosovës në shtetshmërinë e Serbisë”. Nëse nga shqiptarët edhe miqtë do të presin pikërisht një kompromis të tillë, atëherë çështja e Kosovës pas 4 shtatorit paska hyrë në rrugën më të gabuar e në lojën më të keqe, drejt vetëvrasjes kombëtare. Dhe, për një gjë të tillë nuk vlen shumë ngushëllimi i miqve as fërkimi i kokës së politikanëve shqiptarë nga miqtë, siç po lakmojë disa udhëheqës të Kosovës.

 

Çfarë urojnë e shpresojnë shqiptarët nga zgjedhjet e nëntorit në Amerikë

Nuk është as sjellje etike, as punë me mend, të shprehim ndonjë urim se cili kandidat duhet të fitojë në Amerikë tani që të shpresojmë e të kënaqemi më shumë ne shqiptarët. Por, nuk kemi si të mos ngazëllohemi kur Bajdeni pohon vazhdimësinë e diplomacisë amerikane të kohës së presidentëve Klinton dhe Xhorxh Bush Jr., se thelbi i zhvillimeve rreth çështjes së Kosovës duhet të jetë forcimi i pavarësisë e sovranitetit të saj nga Serbia, që është njohur nga shumica e shteteve në botë. Për “çudi”, pikërisht kjo deklaratë e shkurtër, por kuptimplote, e njërit nga dy kandidatët për president në SHBA, i ka “shpëtuar” vëmendjes së vëzhguesve ndërkombëtarë e shqiptarë, të cilët në analizat e komentet e tyre më shumë janë përqendruar tek përfshirja e Izraelit në veprimtaritë diplomatike e gjeostrategjike të ardhme në Ballkanin Perëndimor se tek mangësitë e theksuara të atyre angazhimeve të veçuara që morën Hoti e Vuçiqi para Presidentit Trump dhe që nuk përbëjnë kurrfarë marrëveshje sipas të drejtës ndërkombëtare të traktateve dhe as përmbajnë detyrime të qarta për palët e garanci se ato që janë shkruar do të përmbushen me të vërtetë prej tyre. Hëpërhë, dihet se Trumpi e sheh veten në pozitën e mbajtësit të fjalës së dhënë para elektoratit amerikan dhe shtetit të Izraelit, se i ka mbajtur premtimet që bëri kur u zgjodh herën e parë. Ai ka arsye të shpresojë se kjo arritje mund të ndikojnë tek lobi i fuqishëm hebre në Amerikë, tek sionistët izraelitë dhe sionistët amerikanë të krishterë (evangjelistët) që të marrë mbështetjen e tyre për të ngushtuar diferencën që ka pasur gjithë kohën nga Bajdeni.

 

Shqiptarët të çlirohen nga sindromi i “mosnjohjes së Kosovës nga Serbia”

Pra, doli se loja kryesore është organizuar me kujdes në këtë fazë jo me synimin për të detyruar Serbinë ta njohë Kosovën, që në fund të fundit ka qenë dhe është punë që pret dhe loja për këtë mund të vazhdojë gjatë. Madje, kjo “loja e njohjes së ndërsjellë midis Kosovës e Serbisë” mund të degradojë gjithnjë e më shumë me rezultate negative për Kosovën. Paralajmërimin e ka dhënë përsëri diplomacia amerikane se mund ta bindë Serbinë të bëjë këtë hap, duke i premtuar asaj shuma të mëdha parash. Pra, synohet një monetarizim i njohjes së Kosovës nga Serbia, që do të nxiste reagime më inatçore nga Rusia e Kina. Nuk ka siguri se do ndodhë, siç kanë iluzione udhëheqësit e Kosovës, se po ta njohë në njëfarë mënyre Serbia Kosovën, pastaj këtë e kanë më të lehtë ta bëjnë dhe Rusia e Kina dhe kështu hiqen pengesat për pranimin e Kosovës në OKB. Loja “të sigurojmë njohje nga Serbia” se kështu hapet rruga për anëtarësimin e Kosovës në OKB mund t’i kushtojë shumë e në mjaft drejtime Kosovës, nëse bëhet një obsesion i papërballueshëm i politikës e diplomacisë kosovare. Shqiptarët duhet të përcjellin mesazhe më të qarta e më të thjeshta se si do të shkojnë lojërat rreth Kosovës në të ardhmen. Mesazhi i parë duhet të jetë se Kosova nuk mbetet përgjithmonë e papërfaqësuar në OKB derisa atje nuk është anëtarësuar si një shtet. Atje është në analizë të fundit dhe si zgjidhje e fundit Shqipëria: që e ngre çdo mëngjes flamurin kombëtar edhe për Kosovën.

 

Loja e tanishme e madhe “Kosova jashtë loje”, më e rrezikshmja

Prandaj, pas ceremonisë së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë duhet treguar syçeltësi më e madhe ndaj lojërave të ndërlikuara diplomatike rreth çështjes së Kosovës, që kanë nisur herët e tashmë janë shumuar. Shpesh këto lojëra janë bërë edhe pa praninë e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës si palë në to ose edhe si spektatore e tyre e thjeshtë. Le të kujtojmë se në vitin 1992 në Konferencën e Londrës për zhbërjen e Federatës së ish-Jugosllavisë nuk kishte përfaqësues nga Kosova, sepse asaj nuk i njihej e drejta për shkëputje. Diplomatëve nga Shqipëria, që ishin të pranishëm si vëzhgues, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i OKB-së, i krishteri egjiptian Bhutros Bhutros Ghali, u tha se nuk duhej të prisnin më shumë se një status të minoritetit kombëtar në Serbi për shqiptarët e Kosovës. Rasti i Kosovës u shpërfill fare në Konferencën e Dejtonit mbi përfundimin e luftës në Bosnjë me arsyetimin mjaft cinik se “në këtë Konferencë përfaqësoheshin vetëm vendet e ish-Jugosllavisë që kishin luftuar midis tyre dhe shqiptarët nuk kishin luftuar”. Amerikano-shqiptari (nga Kosova), Uk Lushi e ka bërë këtë përshkrim për trajtimin që iu rezervua Kryeministrit të Kosovës, B. Bukoshi e shoqëruesve të tij: “…duke u zvarritur arritëm në kohën e Dejtonit… Në Dejton nuk ka lëvizur asgjë për ne… Na lanë në një livadh ku më është dukur se bota po tallej me ne… Deri në ditët kur në skenë doli UÇK-ja…” (Libri “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së. Kronikë e batalionit ‘Atlantiku’”, 2009, f. 248).

Pas Dejtonit shqiptarëve u erdhi rasti ta pinin edhe helmin e firmës së kapitullimit në Rambuje, në shkurt-mars të vitit 1999, ku përsëri i detyruan të firmosnin një dokument të njëanshëm në vend të një marrëveshjeje që u ishte premtuar me Beogradin. Në qershor të vitit 1999, në marrëveshjen që bëri NATO në “Çadrën ushtarake të Kumanovës” me komandantët ushtarakë të Serbisë, për “largimin e ushtrisë serbe” nga Kosova, përfaqësuesit e UÇK-së nuk ishin as palë, as vëzhgues, ndonëse kjo tashmë kishte marrë pjesë si aleate e NATO-s në terrenin e luftimeve për çlirimin e Kosovës. Pas kësaj filloi një maratonë veprimtarish politike-diplomatike ndërkombëtare, që i mbante për shumë vite në ankth zemrat e mendjet e shqiptare se a do të vinte pavarësia pas lirisë apo përsëri i kërcënonte kthimi nën Serbi?! Ja si e ka shprehur frikën e tij nga kjo dilemë luftëtari i UÇK-së nga Amerika, Uk Lushi: “Kosova po e fiton lirinë. Po, apo çlirohet? A do të kemi pesë zona të okupuara? A mund të shikohen forcat ndërkombëtare si okupatorë? Ata po na e sjellin lirinë që ne e iniciuam, por që nuk e fituam… Mirëpo, nëse nuk mund të forcohemi si faktor politik, prej tash e tutje, Kosova do të vazhdojë të ecë si somnambul nëpër mjegullën e historisë”(f.197).

Nga kjo ecje politike e diplomatike prej somnambuli Kosova nuk ka shpëtuar as sot. Këtë e dëshmoi skenografia në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator 2020. Këtë e pat treguar edhe seanca parlamentare në mars të vitit 2020, kur në mënyrë antidemokratike u përmbys qeveria Kurti, për të hapur rrugën për qeverinë Hoti, që të bënte një (hiç)marrëveshje në Uashington jo midis Kosovës e Serbisë, por vetëm midis Prishtinës e Beogradit. Madje, sipas shënimeve në fletën e nënshkruar nga Hoti, Kosova paska marrë angazhimin që të mos kërkojë më njohje të reja ndërkombëtare, që të mos protestojë më kur Serbia kërkon tërheqjen e njohjeve të bëra për Kosovën, paska marrë angazhiimin që të mos bëjë për ca kohë kërkesa për t’u pranuar në organizma ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk po e shtron më çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, sepse i duket e mjaftueshme ajo që sanksionon Grenelli, që njohja diplomatike politike nuk ka rëndësi, sepse është vetëm një simbol dhe mund të zëvendësohet fare mirë nga “njohja ekonomike”, pra mjafton që kolonizuesi ekonomik ta pranojë se e njeh koloninë e vet.

 

Shtetshmëria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar se tani pas vitit 2008

Këtyre angazhimeve “të përkohshme” mund t’u shtohet pafundësisht kohëzgjatja dhe mund t’u dalë tymi helmues e verbues më shumë në të ardhmen, kur loja e nisur të zgjerohet edhe më e të bëhet rutinë diplomatike shqiptare e ndërkombëtare. Prandaj nuk kemi si të mos dyshojmë se pikërisht tani po fillon loja më e madhe dhe më e rrezikshme për zhvlerësimin e shtetshmërisë së Kosovës pas vitit 2008. Përvoja e kaluar është alarmuese. Kur në vitin 1995 në Dejton “shpërfillja e mbështetjes së Kosovës dhe e ‘rezistencës paqësore’ u shpërblye me mohimin e pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e panë veten në gjendje të mjeruar. Pak më vonë, faktorët ndërkombëtarë nisën ‘lojën e prishjes së status quo-së’ në Kosovë”, që të impononin pranimin e mbetjes së Kosovës nën Serbi. Për ta prishur këtë lojë u desh të bëhej sakrifica e madhe, të niste lufta e armatosur nga UÇK-ja. Kjo u pasua nga një marrëveshje e Rambujesë, një tjetër lojë e madhe për ta mbyllur me dorëzim kapitullin e luftës së armatosur. Fatmirësisht, ishte një kompleks rrethanash, që i kemi analizuar gjerë e gjatë, që nuk lejuan Serbinë të çonte deri në fund atë që e kishte nisur. NATO ia solli Kosovës lirinë. Por, shpejt filloi loja “liri pa pavarësi” dhe u desh një dekadë përpjekjesh për të kundërshtuar këtë rrezik, derisa Presidenti Bush vendosi që Kosovës i duhej njohur pavarësia. Nisi përsëri “loja serbe” e kundërshtimit në Gjykatën Ndërkombëtare për ta cilësuar si të paligjshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Por, Gjykata nuk mund të bënte këtë dhe Serbia dështoi. Kosova korri një fitore me rëndësi, të cilën po vetë e zhvlerësoi me shpejtësi, kur pranoi një nismë në OKB, që Kosova e Serbia të hynin në bisedime për t’i rregulluar vetë, në frymën e vendimit të Gjykatës, punët midis tyre. Përfshirja e Kosovës në këtë lojë dinake ka qenë gabim fatal dhe i ka kushtuar e po i kushton shumë Kosovës. Pastaj nisën, njëra pas tjetrës lojërat “Kosova shtet fusnotë”, “bisedimet teknike e më vonë politike serbo-shqiptare të Brukselit” e deri tek rasti më i ri i “(hiç)marrëveshjes së Uashingtonit”. Në këtë rastin e fundit është vetë Kosova që pranon ta ngrijë luftën politike diplomatike dhe ta vë veten “jashtë lojës së madhe”. Për të hyrë përsëri në këtë lojë, që e kanë marrë në dorë të tjerët, do të jetë edhe më e vështirë se pas Dejtonit, se pas Rambujesë, se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare se pas dështimit të “lojës së Brukselit”.

 

Çfarë paqe i duhet dhe çfarë stabiliteti i premtojnë Kosovës?

Kosovës tani po i thuhet se paqja e blerë nga paratë që do të derdhë Amerika në Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë më efikase dhe më lumturuese se liria e pavarësia që i sollën bombat e NATO-s (SHBA) më 1999 dhe diplomacia e vendosur e Xhorxh Bushit Jr., më 2008. Për të shprehur ndjesitë e mia, në këtë rast po i drejtohem edhe një herë librit të luftëtarit të batalionit “Atlantik”, Uk Lushit, që në faqen e fundit (271) ka shkruar: “Sot më shumë se kurrë më kujtohen të gjithë ushtarët e UÇK-së, të gjallët dhe të vrarët, më shumë se kurrë më kujtohet ajo luftë dhe kam frikë se paqja e keqe i shkakton luftërat, prandaj lutem për paqen”. Augustine, në një letër që ia dërgon Bonifaces, shkruan: “Paqja nuk kërkohet që të provokohet lufta, por lufta bëhet që të realizohet paqja. Je paqebërës nëse është e nevojshme edhe nëpërmjet luftës, ashtu që nëpërmjet fitores tënde të mund t’ua sjellësh edhe atyre që i mund përparësinë e ‘paqes’”. Diplomacia amerikane është protagonistja vendimtare e dy modeleve të trajtimit të çështjes së Kosovës, që këtu të vendoset paqja e begatia. Modeli i vitit 1999 ishte “paqe nëpërmjet luftës”, që u kurorëzua me modelin “paqe nëpërmjet plotësimit të lirisë me njohjen e pavarësisë në vitin 2008”. A do të dalë më i fuqishëm dhe më i dobishëm modeli i sotëm i reklamuar po nga SHBA-ja “paqe nëpërmjet parasë, investimeve, infrastrukturës etj.”, edhe sikur kjo të kërkojë “kthimin e Kosovës atje ku ka qenë”, në Serbi?!

Ky është një bast shumë i madh dhe nuk mund ta përfytyrojmë tani si do të shkojë ai. Por, e dimë se po hapet një lojë e madhe, ku përfaqësuesit politikë e pushtetarët shqiptarë, hëpërhë, e kanë pranuar si më të leverdishme të vetëpërjashtohen nga kjo lojë. Më duket se sot shqiptarët, në përgjithësi, pajtohen me qenien e tyre objekt e jo subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për t’i mbyllur këto reflektime, kam zgjedhur thëniet e dy intelektualëve shqiptarë. Sipas Faik Konicës: “I huaji s’mund të pranojë veçse çmimin që një komb i vë vetes së tij”. Sipas Rexhep Qosjes: “Me ç’të drejtë kërkon prej tjetrit të angazhohet për ty nëse ti nuk angazhohesh për vete”. Nga ana ime dua të shtoj një mendim shumë më shqetësues: “Po zgjerohet loja shtrënguese ndërkombëtare për ta vështirësuar frymëmarrjen astmatike kombëtare shqiptare!”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close