
Ministria e Drejtësisë në RMV njofton se propozim-ligji për drejtësi për fëmijët deri në fund të tetorit do të dërgohet në procedurë qeveritare.
“Grupi punues për përgatitjen e Propozim Ligjit për drejtësi për fëmijët në procesin e konsultimeve me palët e interesuara i kushtoi vëmendje të veçantë rekomandimeve për përmirësimin e kornizës legjislative për drejtësi për fëmijë të hartuara nga UNICEF-i në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
“Me zgjidhjet e propozuara është bërë një hap i rëndësishëm përpara duke përcaktuar interesin më të mirë të fëmijës, ndërsa pritet që roli i qendrave të punës sociale në zbatimin e drejtësisë restauruese, pra procedurave jashtëgjyqësore, për një veprim të një fëmije, i cili veprim me ligj është parashikuar si vepër penale apo kundërvajtje, do të rritet mbrojtja e fëmijëve viktima nga viktimizimi dytësor në pajtim me standardet evropiane”.
Gjithashtu shtojnë se do të riafirmohet sistemi i specializimit të subjekteve në sistemin e drejtësisë për fëmijët, me çka punëtorët profesionistë në qendrat e punës sociale, gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët dhe ndërmjetësit duhet të ndjekin trajnime të specializuara për të drejtat e fëmijëve dhe delikuencën e fëmijëve, të paktën pesë ditë gjatë vitit, në vend ose jashtë vendit.



