
Ish ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në vigjilje të 113 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga ana e shqiptarëve përmes një postimi ka shkruar se 12 Gushti i vitit 1912 ishte sita kur mbi 30 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat – Kosova, Dibra, Tetova, Kumanova e vetë Shkupi – të udhëhequr nga Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Elez Isufi dhe figura të tjera të shquara, hynë në qytet nga disa drejtime. Garnizoni osman, i rrethuar dhe pa moral, pranoi të dorëzohet për të shmangur gjakderdhjen, shkruan Top24
Më 12 gusht 1912, Shkupi u çlirua nga shqiptarët në kulmin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare kundër Perandorisë Osmane.
Mbi 30 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat – Kosova, Dibra, Tetova, Kumanova e vetë Shkupi – të udhëhequr nga Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Elez Isufi dhe figura të tjera të shquara, hynë në qytet nga disa drejtime. Garnizoni osman, i rrethuar dhe pa moral, pranoi të dorëzohet për të shmangur gjakderdhjen.
Pas hyrjes, mbi godinat kryesore të qytetit u ngrit flamuri shqiptar. Rendi dhe qetësia u ruajtën nga vetë kryengritësit, duke treguar disiplinë e vizion politik. Nga Shkupi, udhëheqësit shqiptarë i dërguan Portës së Lartë memorandumin historik me 14 kërkesa, ku ndër të parat ishte autonomia e Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane, përdorimi i gjuhës shqipe në administratë e shkolla, dhe formimi i administratës shqiptare.
Ajo ditë shënoi momentin kulmor të kryengritjes: për herë të parë pas shekujsh, Shkupi ishte nën kontroll të plotë shqiptar. Kryengritësit kaluan natën në qytet duke ruajtur pikat strategjike.
Por ky çlirim zgjati pak. Në tetor 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, dhe më 26 tetor 1912, Shkupi ra nën pushtimin serb.
Sot, 113 vjet më pas, kujtojmë me krenari atë ditë kur shqiptarët treguan unitet, guxim dhe vizion për të ardhmen e kombit.



