LajmeRajonTopLajm

Lista Serbe: Nuk e mbështesim qeverinë e Kurtit

Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, thotë se nuk e mbështet votimin e qeverisë së mandatarit, Albin Kurtit, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq tha se Kurti me “në mundësinë e parë për veprim ka shkelur Kushtetutën”. Sipas tij, Listës Serbe i takojnë dy ministri, meqenëse, sipas tij, ajo i ka 11 deputetë. Simiq tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjedhet Qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit.

Në ekspozenë e tij para deputetëve, Kurti tha se në këtë seancë do të jetësohet “vullneti i qytetarëve” që votuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat ai i cilësoi si referendum.

Kurti tha se drejtësia, shëndetësia e arsimit kanë nevojë për reforma. Në prezantimin e kabinetit qeveritar para deputetëve Kurti bëri të ditur se për Listën Serbë është ndarë udhëheqja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në Kosovë tri ministri iu ndahen pakicave, siç edhe parashihet me Kushtetutë. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë, shkruan REL.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close