
Në moshën 41-vjeçare, Abdulrahman Mohamed El-Sayed, i njohur si Abdul El-Sayed, është kthyer në një nga figurat më të diskutuara të politikës amerikane. Mjek, epidemiolog, autor librash dhe politikan progresist, ai është në prag të një momenti historik: nëse fiton zgjedhjet e nëntorit, do të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Lindur më 31 tetor 1984 në zonën metropolitane të Detroitit, ai u rrit në Michigan në një familje emigrantësh egjiptianë. Babai i tij, Mohamed El-Sayed, është inxhinier, ndërsa nëna biologjike punon në fushën e shëndetësisë. Fëmijërinë e kaloi mes Amerikës dhe Egjiptit, ku çdo verë vizitonte familjen e babait. Ai ka treguar se pikërisht këto udhëtime i ndryshuan mënyrën si e shihte botën: në SHBA shihte mundësitë e një demokracie, ndërsa në Egjipt përballej me kufizimet e një regjimi autoritar.
Në shkollë ishte një sportist i spikatur. Ishte kapiten i ekipeve të futbollit amerikan, mundjes dhe lacrosse. Më pas studioi biologji dhe shkenca politike në University of Michigan, ku mbajti edhe fjalimin e diplomimit para ish-presidentit Bill Clinton. Falë rezultateve të jashtëzakonshme fitoi bursën prestigjioze Rhodes Scholarship dhe vazhdoi doktoraturën në Universitetin e Oksfordit. Më vonë mori edhe diplomën në mjekësi në Columbia University në Nju Jork.
Megjithëse u diplomua si mjek, El-Sayed vendosi të mos ndiqte një karrierë tradicionale klinike. Ai ka shpjeguar se gjatë praktikës kuptoi se donte të ndikonte jo vetëm te një pacient, por te shëndeti i miliona njerëzve përmes politikave publike. Kjo e çoi në drejtimin e Departamentit të Shëndetësisë së Detroitit, ku u bë i njohur për rindërtimin e institucionit pas falimentimit të qytetit dhe për programet kundër ndotjes, helmimit nga plumbi dhe pabarazive në shëndetësi.
Jeta e tij private është po aq e qëndrueshme sa karriera publike. Ai u njoh me bashkëshorten e tij, Sarah Jukaku, gjatë studimeve në University of Michigan, në shoqatën e studentëve myslimanë. U martuan në vitin 2006, kur ishin ende studentë. Sarah është psikiatre dhe çifti jeton në Ann Arbor me dy vajzat e tyre, Emmalee dhe Serene. Në intervista, bashkëshortja ka treguar se El-Sayed i propozoi martesë kur ajo ishte ende në vitin e parë të universitetit, duke i thënë: “Ne të dy jemi ende duke u rritur. Le të rritemi bashkë.”
Pavarësisht profilit akademik, El-Sayed është bërë një figurë e fortë politike. Ai mbështet sistemin universal të kujdesit shëndetësor, taksimin më të lartë të të pasurve, reformimin e politikës së emigracionit dhe është një nga kritikët më të zëshëm të politikës amerikane ndaj Izraelit, duke kërkuar ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Tel Avivin. Pikërisht këto qëndrime e kanë kthyer në simbol të krahut progresist të demokratëve, por edhe në një figurë shumë polemike për establishmentin e partisë.
Për mbështetësit e tij, Abdul El-Sayed përfaqëson një brez të ri politikanësh që sfidon establishmentin demokrat. Për kritikët, ai është shumë radikal për Senatin amerikan. Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit do të tregojë nëse ky mjek me origjinë egjiptiane do të arrijë të shkruajë një kapitull të ri në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.



