
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ishte i pranishëm në stadium kur një pjesë e madhe e tifozëve të ekipit të tij të ri, Spartak Moskës, shfaqën pankarta dhe brohoritje fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Pak ditë pasi zgjodhi Spartak Moskën për ta vazhduar karrierën, Mirlind Daku është përballur me një situatë të pakëndshme në tribunat e klubit të tij të ri.
Nga tribunat u dëgjuan brohoritje të forta me përmbajtje politike dhe fyese, të drejtuara ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Në videot e publikuara nga media ruse ‘Bombardir’, dëgjohen qartë thirrjet “Kosova- Serbia”, ndërsa në tribunë u shfaq edhe një flamur gjigant me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Spartaku i Moskës konsiderohet një nga klubet më të mëdha në Rusi dhe Daku pritet të përfitojë një kontratë shumë të majme financiarisht, por episodi i parë që e përfshiu në ambientin e ri ka rikthyer në vëmendje qëndrimin e një pjese të tifozëve të klubit ndaj Kosovës.



