LajmeMaqedoniTopLajm

Kush do t’i shkruaj ndryshimet kushtetuese?

Ndryshimet kushtetuese nuk do të nxitohen, thotë një përfaqësues i lartë i qeverisë. Me këtë u pajtuan edhe përfaqësues të huaj në vend në një nivel më të ulët, të cilët menduan se procesi duhet të jetë i suksesshëm. Megjithatë, ndryshimet në Kushtetutë do të duhet të finalizohen në nëntor për të hapur negociatat.

Qëndrime të tilla vijnë vetëm pak ditë pasi kryeministri Kovaçevski tha se nuk ka vonesa në proces, por grupi punues që ishte paralajmëruar për këtë javë ende nuk është formuar. Sipas informacioneve tona, ajo mund të vendoset sa më parë javën e ardhshme. Edhe pse janë duke vazhduar konsultimet ndërmjet ministrisë së Drejtësisë, kabinetit të Kovaçevskit dhe kabinetit të Pendarovskit, ende nuk dihet se sa anëtarë do të ketë ky grup dhe as cilët janë ekspertët që duhet të bëjnë ndryshimet.

“Ne kërkojmë ekspertë që do ta çojnë procesin deri në fund, jo si në komisionin historik me Bullgarinë ku hynë e dilnin ekspertë”, thotë burimi ynë nga qeveria.

Përveç nivelit të ekspertëve, do të ketë edhe përfaqësues nga partitë politike. Ka gjasa të jenë deputetë. Opozita ende refuzon të përfshihet në proces. Mickoski thotë se qeveria po i zëvendëson tezat kur thotë se me futjen e bullgarëve në Kushtetutë do të ndahet populli maqedonas nga ai bullgar.

Nga ana tjetër, edhe pse prioritet i grupit të punës duhet të jetë ndryshimi i Preambulës për t’i shtuar listës së kombeve në Kushtetutë, blloku shqiptar ende pretendon se ka mundësi për të hapur edhe çështje të tjera. Ndonëse janë refuzuar nga Kovaçevski, partia e Taravarit ende kërkon zyrtarizimin e gjuhës shqipe. BDI për momentin nuk e tregon qëndrimin e saj për këtë çështje, por ministri Osmani paralajmëron takim të partnerëve të koalicionit qeveritar se çfarë duhet të mbulojnë ndryshimet kushtetuese.

Related Articles

Back to top button
Close
Close