LajmeRajon

Kurtit po i “d*gjet” afati për presidentin

Rreth dy javë kanë mbetur nga afati i përcaktuar kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa nuk ka asnjë sinjal se mund të ketë së shpejti marrëveshje politike. Kryeministri Kurti nuk ka paralajmëruar për këtë javë takime me liderët e partive politike për të gjetur zgjidhje. Megjithatë, deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, është optimist se janë në rrugë të mbarë për zgjedhjen e presidentit.

“Unë mendoj se takimet kanë këtë synim: të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga kriza, e cila na ka përcjellë gjatë javëve të kaluara sa i takon çështjes së presidentit. Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe do t’i shterojmë të gjitha mundësitë. Tani kemi kohën përpara, janë edhe shumë ditë në dispozicion dhe unë mendoj se secili nga akterët politikë duhet ta bëjë maksimumin e vet që të vijmë te një zgjidhje sa i takon kreut të shtetit dhe të evitohen zgjedhjet, të cilat nuk janë të dëshirueshme për askënd.”, tha Hyseni për rtv21

Në Partinë Demokratike të Kosovës nuk shohin përpjekje serioze të kryeministrit Kurti për të gjetur zgjidhje. Jakup Nura nga PDK ka rikujtuar ofertën që ia kanë bërë LVV-së që të propozojë kandidatin për president. Sipas tij, është e dëmshme për Kosovën që tri pozitat kryesore t’i ketë një subjekt politik.

“PDK-ja i ka ofruar mundësinë e bashkëpunimit; seriozisht ia kemi ofruar opsionin tonë. Mendoj se kjo ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme dhe e volitshme për pozitën e tanishme në të cilën gjendet Kosova, për arsye se tri pozitat kryesore në duart e një partie politike, e cila është tani në pushtet, mendoj se janë të dëmshme për Kosovën, por edhe për vetë LVV-në. Besoj se ditët në vijim do të jenë më intensive dhe do të ketë përpjekje për të arritur një koalicion me LDK-në. Por, për PDK-në, çdo ftesë që bën Kurti do të jetë sa për të thënë dhe sa për t’u dukur para popullit se kinse ka shprehur gatishmëri për t’iu ofruar PDK-së, por që PDK-ja nuk gjen formë bashkëpunimi. Për PDK-në, çdo përpjekje e tyre është vetëm farsë dhe nuk ka përpjekje serioze për të zgjidhur çështjen e presidentit.”, tha Nura për rtv21`

Në mungesë të takimeve me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka thënë se nuk takohet pa pasur një ftesë zyrtare, kryeministri Kurti ka vazhduar takimet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por, as takimet Kurti-Abdixhiku deri më tash nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Kreu i LDK-së tha të shtunën e kaluar se nuk pranojnë që një subjekt politik të udhëheqë me tri institucionet qendrore.

Politologu Albinot Maloku i quan të vonuara përpjekjet e kryeministrit Kurti për të arritur marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri. Maloku tha se çështja e presidentit do të duhej të zgjidhej përmes një marrëveshjeje para se të formohej Qeveria e re. Sipas tij, aktualisht partitë politike kanë më shumë vullnet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Më e mirë do të ishte që të kishte një intensifikim real për çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit, sesa hapa që po bëhen vetëm në kuadër të takimeve, sa për t’u takuar, pa konkretizim të veprimeve që duhet të ndërmerren në gjendjen aktuale. Kjo situatë erdhi edhe si pasojë e veprimeve para formimit të Qeverisë nga subjekti më i madh (LVV), i cili nuk e njohu realitetin se çështja e zgjedhjes së presidentit do të jetë problematike dhe se kjo situatë duhej të zgjidhej para formimit të Qeverisë, përmes një marrëveshjeje politike, ndoshta edhe me koalicion me ndonjërin nga subjektet opozitare. Për pasojë, aktualisht shihet më shumë vullnet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme sesa që çështja të marrë formë në konstelacionet aktuale politike.”, u shpreh Maloku.

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat deputetëve që deri më 28 të këtij muaji duhet ta zgjedhin presidentin, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja

Related Articles

Back to top button
Close
Close