LajmeRajonTopLajm

Kurti takohet sot me Hamzën e Abdixhikun

Këtë të premte, kryetari i LVV-së Albin Kurti, do të zhvillojë takim me liderin e PDK-së Bedri Hamzën, si dhe udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të ulet në tryezë.

Kurti ka nisur konsultimet me partitë politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke ftuar në takim liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, duke theksuar se partia e tij do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësi institucionale, por pret propozime konkrete për tejkalimin e situatës.

Hamza ka treguar të enjten se do të takohet mëngjesin e sotëm në orën 09:00.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën për takim me Kurtin, duke bërë të ditur se biseda do të zhvillohet në formatin “1 me 1”.

“Unë sot kam marrë një ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1 me 1. Këtë herë do të takohemi dy me dy. Do t’i përgjigjem pozitivisht”, ka deklaruar Abdixhiku duke mos zbuluar orën e takimit.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim, duke thënë se qëndrimi i Aleancës mbetet oferta e prezantuar më 26 qershor.

Pas certifikimit të rezultaeteve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues.

LVV ka dalë e para në zgjedhje me 53 mandate, ndërsa PDK ka fituar 22 ulëse, LDK 18 dhe AAK shtatë ulëse në Kuvend.

Related Articles

Back to top button
Close
Close