LajmeRajon

Kurti nuk iu bashkua Ramës, Vuçiqit e Zaevit në Shkup, çfarë mesazhi përcillet nga Prishtina zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është i pranishëm në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, aty ku janë Edi Rama, Aleksandër Vuçiq e Zoran Zaev.

Por cila është arsyeja e mospjesëmarrjes së tij në një forum të tillë?

Zyra e Kryeministrit të Kosovës thotë se Kurti nuk pati një ftesë për këtë forum.

Madje sipas Qeverisë , iniciativa e Novi Sadit, për një “mini-shengen” është pa vizion për rajonin.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur “Mini-Shengen”, tashmë janë të njohura. Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne i ashtuquajturi “Mini Shengen” është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeministrit për Infokus.

Po ashtu nga kjo zyrë i kanë thënë Infokus-it se Qeveria e Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike.

Ndryshe në takimin e parë që kryeministri Kurti kishte zhvilluar në Bruksel më Aleksandër Vuciqin, kishte dhënë një propozim.

“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra të bëjnë një marrëveshje çfarë e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE-në”, kishte deklaruar Kurti.

Por ndaj kësaj kërkese të të parit të Qeverisë, si Vuçiqi, ashtu edhe përfaqësuesit e BE-së kishin qëndruar të heshtur./Gazeta Infokus/

Related Articles

Back to top button
Close
Close