
Samiti i Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ku për çdo vjet mblidhen dhjetra liderë për të diskutuar çështje të ndryshme, është duke u përdorur edhe për një temë që lidhet me Kosovën. Në fakt, në margjina të këtij samiti, vendet si ShBA-ja, Gjermania e Franca janë parë aktivë. Liderët e këtyre vendeve janë parë në takime të ndara me liderët e Kosovës dhe të Serbisë.
Të dy delegacionet deri tash i ka takuar kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Njeriu më i fuqishëm i Gjermanisë e takoi edhe delegacionin e Kosovës, kryeministrin Albin Kurti së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, çka u diskutua në këto takime?
Nga takimet e dy liderëve, pra të Kurtit e Vuçiqit, kuptohet se diskutimet me Gjermaninë e Francën u fokusuan në çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht në çështjen e planit franko gjerman.
Në një cicërimë në gjuhën angleze, kryeministri Albin Kurti shkroi se ka pasur një diskutim produktiv me kancelarin gjerman dhe shefen e diplomacisë franceze, Catherine Colonna.
“‘Diskutim produktiv me Scholz & Min Colonna. Progresi ekonomik dhe demokratik i Kosovës dhe dialogu me Serbinë ishin temat kryesore. Në pritje të bisedimeve të mëtejshme bazuar në propozimin e BE-së, të iniciuar nga Gjermania & Franca, të cilin e kemi pranuar në parim’’ ka shkruar Kurti në Tëitter.
Ndërsa, në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti, shkruhet se në ketë takim është biseduar për raportet Kosovë-Serbi dhe për përgatitjet që po bëhen për takimin e radhës në Bruksel.
“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në Samitin e Mynihit, presidenti i Serbisë është takuar me kancelarin gjerman Scholz dhe presidentin e Francëz, Emmanuel Macron. Pas takimit me Macronin dhe Scholzin, Vuçiqi shkroi në llogarinë e tij në Instagram.
“Një takim serioz dhe i drejtë me njerëzit më të përgjegjshëm të BE-së për procesin e dialogut me Prishtinën, planin franko-gjerman dhe ngjyrat tona dypalëshe”, shkroi Vuçiq në profilin e tij.



