
Fejzi HAJDARI
Për vite me radhë, disa televizione të Prishtinës e kthyen studion televizive në një lloj parlamenti paralel të opinionit publik. I njëjti grup njerëzish shëtiste nga një ekran në tjetrin, duke dhënë verdikte për Kosovën, qeverinë, Albin Kurtin, aleatët ndërkombëtarë dhe të ardhmen e shtetit.
Në mesin e këtyre personazheve ishte edhe Fatmir Sheholli. Zotnija, ishte gjithandej!
Në mëngjes në një televizion, në mbrëmje në një tjetër. Gjithmonë me një mikrofon përpara dhe gjithmonë me një mendim për Kosovën.
Sot, emri i tij është përfshirë në një dosje jashtëzakonisht serioze të Prokurorisë Speciale, ku pretendohet për veprimtari spiunazhi dhe përfshirje në një skenar destabilizues ndaj Kosovës.
Kujdes: aktakuza nuk është aktgjykim, sepse megjithatë, fajësinë e përcakton gjykata. Por pikërisht këtu, fillon pyetja që disa televizione do të donin ta shmangnin:
Kush e bëri “yll mediatik” dhe pse, Fatmir Shehollin të cili përpara disa vitesh s’e njihte gatise askush? Kush ia hapi dyert? Kush e ftoi vazhdimisht? Kush e prezantoi si “analist”, “ekspert”, “njohës të zhvillimeve” apo “burim të besueshëm”? Kush e kontrolloi background-in e tij? Kush pyeti se me kë komunikonte? Kush pyeti nga i merrte informacionet? Kush pyeti se cilat interesa përfaqësonte?
Dhe pyetja më e rëndë: A kishte dikush në këto redaksi, që e dinte më shumë se publiku?
Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë kemi një problem të frikshëm me standardet profesionale. Nëse përgjigjja është “po”, atëherë kemi një problem shumë më të madh, sepse media nuk është lavatriçe për reputacion.
Një person nuk bëhet ekspert, sepse ka qenë njëqind herë në televizor. Dhe një opinion nuk bëhet i pavarur, vetëm pse transmetohet nga një studio me kamera HD.
Propaganda s’ka nevojë ta bërtas “Serbi”
Kjo është pjesa që duhet kuptuar. Propaganda moderne është shumë më inteligjente. Ajo nuk vjen domosdoshmërisht duke thënë: “Unë jam kundër Kosovës”. Ajo mund të thotë: “Po e kritikoj qeverinë.”
Pastaj: “Po paralajmëroj për izolimin e Kosovës.”
Pastaj:“Perëndimi është lodhur nga Kosova.”
Pastaj:“Kosova po radikalizohet.”
Pastaj: “Kosova po shndërrohet në problem.”
Pastaj: “Kosova do të bëhet Kandahar.”
Dhe kështu, pa e kuptuar publiku, ndërtohet një narrativë. Kosova si problem. Kosova si shtet i dështuar. Kosova si vend ekstremist. Kosova si barrë për Perëndimin. Nëse një dokument i sekuestruar dhe i përfshirë në aktakuzë përmban pikërisht skenarë të këtillë, atëherë kjo nuk mund të kalojë si një episod banal.
Duhet hetuar, por jo vetëm nga Prokuroria. Duhet hetuar edhe nga gazetaria.
Po televizionet?
Këtu është pjesa më e pakëndshme. Sepse është shumë më lehtë të arrestosh një person sesa të pranosh se një sistem i tërë mediatik mund të ketë qenë i papërgjegjshëm në mënyrën se si ka prodhuar “ekspertë”.
Disa televizione të Kosovës, duhet ta hapin arkivin e tyre.
Të shohin: Kush ishte i ftuar? Sa herë? Çfarë temash komentonte? Çfarë narrativash përsëriste? Kush e kundërshtonte? Kush e promovonte? Kush e telefononte? Kush e ftonte?
Dhe së fundmi: A kishte një model të përsëritur në mënyrën se si disa personazhe televizive e sulmonin vazhdimisht imazhin e Kosovës dhe institucioneve të saj?
Nëse po, atëherë kemi një histori që është shumë më e madhe se Fatmir Sheholli.
Albin Kurit nuk është Kosova!
Kjo duhet thënë qartë. Mund të jesh kundër Albin Kurtit. Mund ta urresh politikisht. Mund ta kritikosh për çdo vendim. Mund të kërkosh largimin e tij. Kjo është demokraci.
Por ekziston një vijë e kuqe: Të dëmtosh politikisht Kurtin, nuk është e njëjta gjë me të dëmtuarit e shtetit të Kosovës. Dhe nëse dikush, me vetëdije, ka ndërtuar narrativë për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar, të rrezikshëm, të izoluar dhe të padenjë për mbështetje ndërkombëtare, atëherë nuk kemi më të bëjmë thjesht me “opinion”.
Kemi të bëjmë me luftë për perceptimin. Dhe lufta për perceptimin është luftë politike, bile, ndonjëherë edhe luftë e sigurisë.
Dhe pastaj është “Merdare”…
Këtu duhet të bëjmë shumë kujdes. Paratë e konfiskuara në Merdare dhe rastet e tjera të dyshuara për spiunazh, nuk mund të lidhen automatikisht me dosjen e Shehollit, pa prova. Por, askush nuk mund të kërkojë nga publiku që të mos bëjë pyetje.
Sepse, kur në kufirin e Kosovës shfaqen shuma të mëdha parash të padeklaruara dhe paralelisht autoritetet hetojnë raste të dyshuara për spiunazh, pyetja është e ligjshme:
A ka rrjete financiare, politike, propagandistike apo të ndikimit që duhet të hetohen më thellë?
Këtë duhet ta zbulojnë institucionet. Jo Facebook-u, Jo portalet, Jo “analistët”, por Institucionet. Dhe nëse ekzistojnë lidhje, ato duhet të dalin në dritë. Nëse nuk ekzistojnë, edhe kjo duhet të thuhet.
Koha pëf t’i hapur arkivat
Tani nuk mjafton të thuhet: “Ne vetëm e ftuam.” Jo! Nëse një televizion e ka promovuar dikë për vite, ai televizion ka edhe një përgjegjësi minimale profesionale: Të dijë kë po promovon, sepse një person që shfaqet një herë në television, është mysafir. Një person që shfaqet çdo ditë, bëhet autoritet publik.
Dhe kur mediat krijojnë autoritete publike, duhet të mbajnë përgjegjësi për standardet me të cilat i kanë zgjedhur. Prandaj, nëse pretendimet e Prokurorisë rezultojnë të vërteta, pyetja nuk do të jetë vetëm: “Çfarë bëri Sheholli?”
Pyetja do të jetë edhe: “Si arriti Sheholli të bëhej kaq i rëndësishëm në ekranet e Kosovës?” Dhe kjo pyetje mund të çojë te shumë më tepër njerëz sesa një emër. Sepse ndoshta problemi nuk ishte vetëm ai që fliste. Ndoshta problemi ishte edhe sistemi që e dëgjonte, e ftonte, e promovonte dhe e përsëriste.
Dhe nëse një ditë gjykata vërteton se pas këtij rrjeti ka pasur interesa të huaja, atëherë disa studio televizive do të duhet t’i japin publikut një përgjigje shumë të thjeshtë: Kush ju dha juve të drejtën t’ia shisni Kosovës propagandën si analizë?
Sepse, mikrofonin e mban njëri, por, përgjegjësinë për mikrofonin, e mbajnë edhe ata që ia japin. Dhe tani, më shumë se kurrë, duhet të shohim kush flet, kush financon, kush promovon dhe kush përfiton, sepse kur fillojnë të bien maskat, zakonisht nuk bie vetëm një maskë. Bie i gjithë zinxhiri. Dhe nëse zinxhiri ekziston, herët a vonë do të duket.
Edhe në ekran. Edhe në dosje. Edhe në kufi…



