LajmeOpinion

Kumti i shpresës

Shkruan Salajdin Salihi

Derisa “kronistët” tanë shkruanin çdo ditë për “ngjarje historike”, të cilat askush nuk i kujton, prijësit tanë vinin me vonesë në stacionin ku ndalonin “trenat e historisë”. Kur ikte “treni i historisë”, siç tha Konica, s’e pranonin se ishin vonuar, por justifikoheshin se u kishte ikur treni. Madje, qëllimisht s’donin të hipnin në “trenin” ku respektoheshin rregullat, sepse donin që të vepronin në botën ku i krijonin rregullat sipas qejfit të tyre. Ata, siç tha poeti boshnjak Hasan Kikiq, “ishin robër sipas traditës dhe kapadainj sipas dëshirës”.

Javën që lamë pas kaloi edhe një “tren historie” nëpër Ballkanin Perëndimor. Fatmirësisht, përkundër shumë pengesave, këtë herë prijësit ishin në stacion…

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk lejuan që t’u ikte “treni i historisë”. Menjëherë erdhi kumti i mirë nga Brukseli: çelen negociatat për anëtarësim në BE për dy shtetet e Ballkanit, që tani janë më pranë Europës së Bashkuar, më pranë realizimit të ëndrrës së kamotshme. Ky vendim është edhe në favorin e Europës. Veçanërisht në kohën kur Rusia e ka cenuar paqen europiane.

Partitë shqiptare në RMV, në pushtet dhe opozitë, votuan pa hamendje për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Këto parti, që kanë bërë shumë gabime, që kanë shënuar shumë dështime, që mund të kritikohen natë e ditë për veprime të pamenduara politike, këtë herë duhet të vlerësohen. Ishin unike për sa i takon integrimit të vendit në BE.

Elitat shqiptare në RMV nuk kanë pasur dhe nuk kanë alternativë tjetër përveç integrimit të vendit në BE. Ndryshe mendon një pjesë e shoqërisë maqedonase, e cila flet “për alternativa tjera”. Për shqiptarët identiteti europian është përplotësues i identitetit shqiptar. Ky përcaktim u formësua ndër shekuj, veçanërisht gjatë Rilindjes Kombëtare…

Përvoja e deritanishme dëshmon se shtetet me këtë status kanë pasur përfitime nga fondet europiane, kanë tërhequr investime të huaja, kanë shënuar përmirësim të dukshëm të standardit jetësor të qytetarëve. Për t’i gëzuar privilegjet duhet që dy vendet, tani e tutje, t’i mbrojnë me çdo kusht vlerat themelore europiane: ruajtjen e paqes, lirisë, demokracisë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe sundimin e së drejtës.

Për t’i çuar proceset përpara duhet vizion i ri dhe të përjashtohet logjika provinciale në vendimmarrjet politike. Me logjikën që e përmend poeti i lartpërmendur sërish mund të të nxjerrin nga “treni i historisë”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close