
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, gjatë një vizite zyrtare në Kiev të Ukrainës të martën, i bëri thirrje Gjermanisë që të mos e fusë në funksion gazsjellësin e ri me Rusinë, duke thënë se ky projekt paraqet rrezik serioz për sigurinë.
Sipas kryeministrit polak, përballja me Rusinë nuk është e rëndësishme vetëm për Ukrainën, por për tërë Evropën dhe NATO-n, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
“Duke e lëshuar këtë gazsjellës, Berlini po ia mbush pistoletën Putinit, të cilën ai më pas mund ta përdorë për ta shantazhuar tërë Evropën”, tha Morawiecki.
“Pjesa jonë e Evropës nuk përjeton tërmete ose shpërthime vullkanesh. Atëherë çka, duke jetuar afër një fqinji si Rusia, ne e kemi ndjenjën e të jetuarit te pjesa e poshtme e vullkanit”, shtoi kryeministri polak.
Ndryshe, duke folur në konferencën e përbashkët për gazetarë me homologun ukrainas, Denys Shmygal, Morawiecki tha se Polonia do ta ndihmojë Ukrainën me karburante, armë, ndihma humanitare dhe ekonomike.
Dy kryeministrat thanë se Polonia e Ukraina janë duke bashkëpunuar me Britaninë e Madhe për ta fuqizuar bashkëpunimin e tyre trepalësh përballë kërcënimit nga një ndërhyrje e re ushtarake ruse.
Kryeqyteti ukrainas do të presë edhe një mysafir tjetër të rëndësishëm të martën. Atje do të udhëtojë Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili pritet ta shfaqë përkrahjen e Perëndimit për shtetin e Evropës Lindore në kohën e grumbullimit të trupave ruse.