
Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Sopaj nga Malisheva, e cila humbi dy anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Në telegram, kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke bashkëndjerë me ta për humbjen tragjike.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Fëmijëve të lënduar u dëshiroj shërim të shpejtë dhe uroj që të tejkalojnë sa më lehtë pasojat e aksidentit. Republika e Kosovës bashkëndjen me familjen tuaj. Shpresoj të mund të gjeni forcën për të përballuar dhimbjen tuaj, që është dhimbje edhe e mbarë popullit. Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë pikëllimi e zie”, ka theksuar Kurti.
Dy anëtarët e familjes Sopaj humbën jetën të të premten, në orët e hershme të mëngjesit, teksa po vinin për pushime nga Sllovenia. Ata me veturën e tyre u përplasën në autobusin që ishte ndalur për shkak të një defekti.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, sot, ia ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit F.I për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikim i trafikut publik.



