
Mesazhi nga tryeza e rrumbullakët “Iniciativa për ndryshimin e procedurës për përcaktimin e tarifave për shërbimet ujore dhe ndikimi i tarifave adekuate në problemet më të mëdha me të cilat përballen ndërmarrjet komunale”, e organizuar nga Shoqata e Ofruesve të Shërbimeve Komunale – ADKOM, është që KRRE të marrë plotësisht kompetencën në formimin e çmimit përfundimtar të ujit, thuhet në njoftimin e KRRE, të cilin MIA e transmeton të plotë, përcjell Top24
Të dhënat tregojnë se mënyra aktuale e përcaktimit të çmimit është e ndërlikuar, financiarisht e paqëndrueshme dhe shërbimi është joadekuat, për shkak të së cilës humbjet e ujit në nivel nacional janë rritur në 64%. Analizat e KRRE tregojnë se nga 79 ndërmarrje që ofrojnë shërbime ujore, për 20 prej tyre janë marrë vendime rregullatore, por për 11 prej tyre këshillat komunalë nuk kanë dhënë pëlqim, ndërsa nëntë ndërmarrje komunale nuk kanë dorëzuar fare kërkesë për çmim të ri.
“Qëllimi i kësaj iniciative është që përmes ndryshimeve ligjore të krijohet një sistem më i thjeshtë, transparent dhe stabil për përcaktimin e tarifave për shërbimet ujore. Ne propozojmë një proces të qartë dhe të thjeshtë për formimin e çmimit përfundimtar. Sugjerojmë shkurtimin e procesit burokratik nga gjashtë në dy hapa: dorëzimin e kërkesës dhe përcaktimin e çmimit përfundimtar. KRRE prej kohësh alarmon se mënyra aktuale e përcaktimit të çmimit është joefikase: vihet në pikëpyetje cilësia e shërbimit, defektet rriten dhe ndërmarrjet komunale luftojnë për likuiditet.” – deklaroi Lirim Sulejmani, zëvendëskryetar i KRRE.
Analizat tregojnë se vit pas viti konsumi i ujit rritet, arkëtimi bie dhe numri i të punësuarve rritet.
“Tarifat aktuale të ujit nuk i mbulojnë shpenzimet reale dhe për këtë arsye ndërmarrjet komunale punojnë me humbje, ndërsa komunat detyrohen t’i subvencionojnë. Pasojat janë shumëdimensionale dhe ajo që është më shqetësuese është se, për shkak të mungesës së fondeve, nuk ka investime dhe përqindja e humbjes së ujit rritet çdo vit, si rezultat i rrjetit të vjetër të ujësjellësit. Me realizimin e kësaj iniciative, do të krijohen kushte që KRRE të zbatojë vendime dhe masa rregullatore që do të sigurojnë vetëqëndrueshmëri të ndërmarrjeve komunale në afat të gjatë. Ne përcaktojmë çmimin përfundimtar, por parashikojmë edhe mjete të detyrueshme për investime dhe e kufizojmë numrin e të punësuarve.” – theksoi Faton Ambari, anëtar i KRRE.



