KulturëLajme

Krijimtaria e Alije Vokshit – në fokus të publikut ndërkombëtar

Kohëve të fundit ka qenë duke hulumtuar punën e piktores së njohur Alije Vokshi. Ishte në bisedime me familjarët e saj që të realizonin ekspozitën e parë të Vokshit jashtë vendit. Në kohën kur analizonte dhe vështronte punët e shqiptares së parë nga Kosova e diplomuar në pikturë, i erdhi ftesa nga revista e njohur britanike “Frieze” për të nominuar një vepër ose një artist që është i rëndësishëm për të. Nuk ngurroi. Personazhin e kishte të zgjedhur me të pranuar ftesën. Revistës ia dërgoi një shkrim për jetën dhe krijimtarinë e piktores Alije Vokshi, që konsiderohet pioniere e arteve të bukura në Kosovë. Bashkëngjitur e nisi edhe pikturën e saj “Dy fytyrat” (vaj në pëlhurë, 2005–07). U botuan në numrin e tetorit të kësaj reviste themeluar më 1991 në Londër, e që del tetë herë në vit.

Artisti Halilaj bashkë me gjashtë artistë të tjerë shpalosën veprat ose artistët e tyre të preferuar. Ato u bënë pjesë e serisë së tretë të seksionit të veçantë të revistës “Artists’ Artists”. Revista përmes shkrimeve brenda saj shikon artin e realizuar në të shkuarën me një këndvështrim të së sotmes. Botimi i sivjetmë është lansuar online, ndërsa herëve të kaluara revista ishte shtypur.

“Për seksionin ‘Artist’s Artists’, artistët shkruajnë për një vepër arti që ata admirojnë nga e shkuara, e që ka influencuar punën e tyre. Në mesin e atyre që kanë shpërndarë përgjigjet e tyre janë edhe artistët si: Nairy Baghramian, Glenn Brown, Marlene Dumas, Alex Katz, Liliane Lijn, Helen Marten, Naeem Mohaiemen, Oscar Murillo, Jennifer Packer, Imran Qureshi and Lynette Yiadom-Boakye”, është bërë e ditur nga revista. Në serinë e tretë bashkë me përzgjedhjen e Halilajt janë publikuar edhe ato të Brook Andrew nga Australia, Guendalina Cerruti nga Italia, Peter Graham nga Australia, Mira Schor nga SHBA-ja, Elisa Sighicelli nga Italia dhe Sung Tieu nga Vietnami.

Në shkrimin e publikuar në “Frieze” tregohet se Alije Vokshi, e lindur më 1946, është gruaja e parë nga Kosova që ndoqi studimet për pikturë në Kosovë. Është bërë e ditur se veprat e saj të para ishin realizuar në xhamat e avulluar të dritareve, ku ajo kishte vizatuar me gishta. Po aty bëhet e ditur se ajo ishte gjithmonë e lumtur kur jashtë bënte ftohtë, pasi që në xhama formohej lagështi.

“Këto vizatime shpejt fshiheshin nga ndërrimi i temperaturave, duke shënjuar pamundësinë për të ndaluar kohën. Thirrjet për të pasur në mendje të gjitha gjurmët që janë humbur, të gjitha praktikat artistike që janë neglizhuar në mënyrë aktive ose thjesht injoruar nga historia dominante e artit. Shumica e këtyre gjurmëve të humbura janë lënë nga artistët”, është shkruar në “Frieze”.

Halilaj në shkrimin e tij ka shkruar se Vokshi, e rritur duke pikturuar dhe luajtur basketboll – aktivitete të pazakonshme për një grua në Kosovën e asaj kohe – kishte pasur vështirësi për ta afirmuar artin e saj dhe vizionin në një shoqëri të dominuar nga burrat, e që nuk ishte gati ta pranonte punën e saj.

“Përkundër rezistencës së saj, ajo në fund të fundit ia arriti që të linte gjurmë të rëndësishme. Sot veprat e saj janë të njohura në Kosovë, por të njëjtat nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendit. Arti i saj meriton vëmendje ndërkombëtare”, ka shkruar ai për “Frieze”. Këtë të fundit ai e thekson edhe në një bisedë për KOHËN. Ka treguar se madje është duke punuar në këtë drejtim. Ka thënë se ka plane për hapjen e një ekspozite jashtë vendit, në të cilën do të shpaloset krijimtaria e Vokshit.

“Kohët e fundit kam lexuar dhe kam hulumtuar shumë për artisten Alije Vokshi, në artikullin e mrekullueshëm të Rina Krasniqit, përmes vajzave të saj të cilat më kanë dërguar materiale nga arkivi i tyre, dhe duke i parë punët e duke biseduar për disa plane të tjera në lidhje edhe me një ekspozitë jashtë Kosovës, më erdhi ftesa që ta nominoj një artist apo punë”, ka thënë ai. Ka shtuar se është nder për të nëse ka kontribuar sado pak që puna dhe jeta e artistes Alije Vokshi të njihen më shumë në një nivel ndërkombëtar.

“Puna e saj më ka prekur pa masë dhe rrëfimi i jetës së saj duhet të tregohet më shumë. Mendoj që ne, gjeneratat e reja, duhet të kontribuojmë që historia e së kaluarës të plotësohet, të tregohet më mirë, të gjenden mënyra e forma me i rijetësu, me i nderu e me ditë e me i gëzu’”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Burrneshat” me kuratore Arta Aganin, ishte ekspozuar vepra “Ina” e Alije Vokshit. Në veprën e vitit 1972 paraqitet një grua e moshuar në dukje, e qetë dhe e dashur, që bart një shami të zezë në kokë e që është vjehrra e piktores. Në kuadër të aktiviteteve të kësaj ekspozite ishte biseduar edhe për jetën dhe krijimtarinë e Vokshit.

E para dy vjetëve, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, piktorja me nam në Kosovë ishte rikthyer në vëmendjen e publikut përmes ekspozitës “Alije Vokshi – një retrospektivë” e kuruar nga Lorik Sylejmani. Artisti, i cili ishte rritur duke parë veprat e artistes e njëherësh edhe tezes së tij, kishte zgjedhur që të ekspozonte 10 piktura dhe 10 vizatime. Përzgjedhjen e kishte bërë prej 120 veprave që ajo i kishte atë kohë në studion e saj. Ai ka thënë se atëherë disa artistë të rinj janë mrekulluar me krijimtarinë e Vokshit, dhe tani Halilaj po e njofton botën me punën e saj.

“Është një gjë e mirë kur një artist e përkrah një artist tjetër, në këtë rast Petrit Halilaj potencon Alije Vokshin si artisten e tij të preferuar. Halilaj ka bërë një gjest shumë domethënës duke u nisur nga fakti se piktorja në fjalë ka qenë dhe akoma vazhdon të jetë e papërkrahur në Kosovë. Ka qenë një lajm i këndshëm edhe për familjen”, ka thënë Sylejmani. Ka treguar se punët e Alije Vokshit kishin pasur prezantim ndërkombëtar në fillim të viteve ‘80.

“Si kurator pata menduar që të vazhdohet me ndonjë projekt tjetër ndërkombëtar, mirëpo besoj se kjo iniciativë duhej bërë institucionalisht, pasi që puna e Alije Vokshit në një mënyrë është vlerë kombëtare, ndër të tjera. Por, falë Petrit Halilajt besoj se shumë shpejt do ta kemi një prezantim të Vokshit në njërin ndër metropolet e artit evropian”, ka thënë ai pa dhënë më shumë detaje.

Në vitin 1966, Alije Vokshi filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në klasën e maestros Milo Milunoviq, e dy vjet më vonë po aty edhe në klasën e profesorit Nedelko Gvozdenoviq, ku u shqua si studente me nota maksimale. Portretet, aktet dhe peizazhet janë pjesët e saj të parapëlqyera. Ajo gjithmonë kishte pikturuar personat e dashur për të duke përdorur ngjyra konservative, si e zeza, e bardha ose e kuqja e zbehtë. Veprat e fundit të saj veçohen nga vizatime abstrakte dhe piktura, ndër të cilat veçohen ato nga lufta e fundit në Kosovë, në të cilat artistja ishte e preokupuar me vuajtjet e shqiptarëve.

Në anën tjetër, artisti Petrit Halilaj është duke vazhduar ekspozimin e veprave të tij nëpër vende të ndryshme të botës. Deri më 28 shkurt të vitit 2021, në Pallatin e Kristaltë në Madrid është e hapur ekspozita e tij “Një korb dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”. Në të artisti gërsheton privaten dhe publiken. Zbërthen edhe histori personale tek kthen vëmendjen te ndjenjat, dashuria e shpresa. Halilaj më 2010 e përfaqësoi Kosovën në prezantimin e parë të saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

Related Articles

Back to top button
Close
Close