LajmeRajon

KQZ shpall rezultatet paraprake, LDK kryeson me 5 komuna! Kurti: Kemi fituar 7 komuna, sukses i VV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në të gjitha komunat ka përfunduar plotësisht votimi, ndërkaq në platformën online, sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, do të azhornohen edhe dy vendvotime për Mitrovicën e Jugut.

“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numëron votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, tha ai.

Sa i përket votave nga diaspora, ai tha se pret që nga java e ardhshme ato të arrijnë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave.

Sipas rezultateve për raundin e balotazhit, LDK-ja ka fituar në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër secila dhe PDK-ja në tre komuna.

Tahiri uron Pecin për fitoren në Mitrovicë të Jugut

Arian Tahiri i PDK-së ia ka uruar fitoren në Mitrovicë të Jugut kundërkandidatin e tij nga LVV-ja Faton Peci.

Numërimi i votave në këtë komunë ende nuk ka përfunduar, ku kanë mbetur edhe dy kuti.

Prebreza: Pas 25 vjetësh, pushteti komunal në Fushë Kosovë po i kthehet qytetarëve

Valon Prebreza, kandidat i LVV-së për Fushë Kosovë, tha se pas 25 vjetësh, “pushteti komunal në Fushë Kosovë po i kthehet qytetarëve”.

Ai falënderoi kryetarin e partisë së tij, Albin Kurti, për mbështetjen, por edhe qytetarët.

“Kjo fitore është fitore e qytetarëve të Fushë Kosovës”, tha ai, teksa Kurti, që është kryeministër në detyrë i Kosovës, i premtoi “mbështetje të fuqishme” nga ekzekutivi kosovar.

LDK-ja e kishte udhëhequr këtë komunë që nga përfundimi i luftës.

Kurti: LVV-ja fitoi katër komuna në balotazh  

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se në bazë të rezultateve që kanë marrë nga komisionarët, partia e tij ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Gjilan në rundin e balotazhit.

Në total, në këto zgjedhje lokale, LVV, tha Kurti, ka fituar në shtatë komuna. Kurti tha se në partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në rundin e balotazhit, prandaj ky rezultat “është një sukses i LVV-së”.

“Pas më shumë se dy dekadave, LVV e bëri ndryshimin e madh me Valon Prebrezën në Fushë Kosovë. Valoni do të sjellë demokraci, dinjitet dhe barazi për të gjithë.”

Kryetari i LVV-së foli gjithashtu për rritjen e numrit të komunave që partia ka fituar gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë:

“Në vitin 2013 kemi marrë pjesë për herë të parë në garë dhe kemi fituar vetëm një komunë. Në vitin 2017 kemi fituar tri komuna, në vitin 2021 kemi fituar 4 komuna, derisa sot kemi fituar në 7 komuna.”/ REL.

Related Articles

Back to top button
Close
Close