
Situata e tensionuar mes Kosovës dhge Serbisë në veri ka marrë një tjetër vëmendje në diskutimin e dy presidentëve.
Presidenti Begaj falënderoi gjithashtu Presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës. “Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023), janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian.”
Presidenti Begaj vlerësoi se pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike.
Presidenti Begaj shprehu kënaqësinë e tij se përtej marrëdhënieve të konsoliduara kulturore midis dy vendeve, interesi i madh i kompanive franceze, veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme, por jo vetëm, po i çon marrëdhëniet në një nivel tjetër, edhe më të lartë. “Jam besimplotë që projektet e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë, do të ndiqen edhe nga projekte të tjera të mëdha nga investitorët francezë,” – tha në një mesazh.



