BotaLajmeTopLajm

Koncert me 5000 pjesëmarrës në kohë pandemie

Numri i infeksioneve të reja po rritet në shumë vende të Evropës, përfshirë edhe Spanjën. Por në këtë vend u mbajt një koncert me 5000 spektatorë. Pjesëmarrësit në Barcelonë fillimisht – u testuan.

“Këtë mund ta përjetoni vetëm sonte – ndaj shijojeni”, iu drejtua publikut moderatorja e koncertit. Performanca e bendit “Love of Lesbians” në sallën “Palau de Sant Jordi”, ku normalisht mund të futen deri në 24.000 mysafirë, u mbajt në kuadër të një projekti pilot dhe u miratua zyrtarisht nga autoritetet spanjolle. Sipas organizatorëve, kjo ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji që nga fillimi i pandemisë Corona. Qëllimi ishte të testohej nëse një ngjarje e tillë mund të jetë e sigurt pavarësisht pandemisë Corona dhe nëse mund të ketë masa të mjaftueshme parandaluese.

“Më mirë se para Coronës”

Edhe për këngëtarin e “Love of Lesbians”, Santi Balmes, ishte ky një moment i papërsëritshëm: “Mirësevini në një nga koncertet më prekëse të jetës tonë!” Mbrëmja ishte padyshim një sukses i plotë për fansat. “Ishte e mrekullueshme. Në fakt ishte edhe më mirë sesa para Coronës, sepse të gjithë ishin tepër të lumtur sepse më në fund mund të ishin përsëri në një koncert. Shumë vallëzuan dhe kënduan edhe me maska”, thotë një vizitor për agjensinë e lajmeve DPA.

Testet para koncertit

Para dhe gjatë koncertit, ishin vendosur masa të rrepta mbrojtëse, të cilat u monitoruan nga një ekip mjekësh. Të gjithë spektatorëve iu desh të bënin një test të shpejtë të shtunën nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite, në një nga tre qendrat speciale për teste.

Vetëm gjashtë nga 5000 testet ishin pozitive, shkruan gazeta “La Vanguardia”. Sipas organizatorëve, vetëm vizitorët e regjistruar të moshës 18 dhe 65 vjeç që kishin një smartphone të ri u lejuan të shkarkonin një program për rezultatin e testit. Për më tepër, shikuesit duhej të pranonin që të dhënat e tyre të krahasoheshin me ato të autoriteteve shëndetësore.

Nuk është e hera e parë

Më parë, pak para Krishtlindjeve, është mbajtur një koncert nga këngëtari i muzikës pop Raphael në Madrid. Edhe në këtë koncert ka pasur rreth 5000 pjesëmarrës, por pa mbështetje shkencore.

Publiku duhej të ulej dhe të mbante distancën. Në Holandë, studiuesit kohët e fundit zhvilluan një manifestim në një diskotekë të madhe për të studiuar sjelljen e pjesëmarrësve – një test negativ ishte gjithashtu një parakusht për pjesëmarrjen këtu.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close