
Komuna e Tetovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve juridike që ende nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore, t’i kryejnë pagesat sa më shpejt, duke theksuar se është pranë zhbllokimit të llogarisë së saj pas më shumë se një dekade.
Në një njoftim publik, Komuna falënderon të gjithë ata që kanë paguar tatimin në pronë dhe detyrimet e tjera, duke vlerësuar se kontributi i tyre ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e qytetit.
“Falë qytetarëve që kanë paguar detyrimet e tyre, Komuna e Tetovës është shumë pranë zhbllokimit të llogarisë së saj, pas më shumë se një dekade. Ky është një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit financiar dhe krijimit të mundësive të reja për realizimin e projekteve në interes të qytetit dhe të banorëve të tij. Për qytetarët që ende nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore, procedurat ligjore do të vazhdojnë në përputhje me dispozitat në fuqi. Për të shmangur shpenzimet shtesë, kamatat dhe procedurat e përmbarimit, i ftojmë të gjithë obliguesit që pagesat t’i kryejnë vullnetarisht dhe sa më shpejt”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.
Komuna thekson se pagesa e detyrimeve tatimore është obligim ligjor dhe njëkohësisht kontribut për investime në infrastrukturë, arsim, ndriçim publik, hapësira të gjelbra dhe projekte të tjera në qytet.



