
Ministri i Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor Zlatko Perinski, kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, dhe drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës dr. Erzen Elezi, së bashku me një delegacion të Bankës Botërore dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, vizituan sot Spitalin Klinik të Tetovës.
Gjatë vizitës u prezantua koncepti për rikonstruksionin e plotë, zgjerimin dhe pajisjen e spitalit. Vlera e parashikuar e investimit të planifikuar është rreth 4,56 miliardë denarë, përkatësisht afërsisht 74 milionë euro, ndërsa modeli përfundimtar i financimit do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
Projekti parashikon:
rikonstruksionin dhe modernizimin e Bllokut të Kirurgjisë dhe atij të Sëmundjeve Interne;
ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore;
një objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji;
furnizimin me pajisje bashkëkohore mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit;
largimin e objekteve të amortizuara dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.
“Ky është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, si dhe në kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë. Synimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut të marrin shërbime shëndetësore bashkëkohore dhe në kohë, sa më pranë vendbanimit të tyre”, theksoi ministri Klekovski.
Investimi është me rëndësi të drejtpërdrejtë për rreth 251.500 banorë të rajonit të Pollogut dhe pritet të mundësojë më shumë shërbime në nivel lokal, kohë më të shkurtër pritjeje dhe më pak referime drejt Shkupit.
Me përfaqësuesit e Bankës Botërore u shqyrtuan hapat e ardhshëm: përgatitja e studimit të fizibilitetit, dokumentacionit teknik, analizës së kostove dhe përfitimeve, si dhe përcaktimi i një modeli të qëndrueshëm financimi.
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Komunën e Tetovës dhe drejtuesit e Spitalit Klinik të Tetovës, do të sigurojë përgatitje të koordinuar, transparencë dhe mbikëqyrje institucionale në të gjitha fazat e projektit.
Një Spital Klinik modern në Tetovë nënkupton shëndetësi më të fuqishme rajonale dhe kujdes shëndetësor më cilësor e më pranë qytetarëve.








