
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi se Ministria e Shëndetësisë vazhdon me aktivitete të intensifikuara për informimin dhe mbrojtjen e popullatës në komunat e prekura nga rritja e numrit të rasteve me ethe të Nilit Perëndimor, paralelisht me masat e rregullta për kontrollin e popullatës së mushkonjave.
Sa i përket situatës epidemiologjike, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri më 18 gusht 2026, në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor (36 raste të konfirmuara dhe 2 raste të mundshme), nga të cilat 37 në rajonin e Shkupit. Më 11 gusht 2026, Qendra për Shëndet Publik Shkup raportoi epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.
Janë regjistruar gjithashtu 4 raste të vdekjes te persona me formë neuroinvazive të sëmundjes. Gjatë javës së kaluar (12–18 gusht) janë raportuar 12 raste të reja.
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer kontrolle mbi aktivitetet për dezinfektimin dhe dezinsektimin në të gjitha komunat. Vijojnë aktivitetet sistematike dhe të jashtëzakonshme, sipas indikacioneve epidemiologjike, për dezinsektimin larvicid dhe adulticid – me mjete ajrore dhe tokësore – në territorin e Qytetit të Shkupit dhe në komunat Gazi Babë, Kisella Vodë (lagjja Draçevë), Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec, Sopishtë, Çuçer-Sandevë dhe Veles.
Deri më 14 gusht 2026 janë realizuar disa cikle trajtimi, përfshirë edhe ndërhyrje shtesë në sipërfaqet me ujëra të ndenjura në zonat e prekura, theksoi ministri Klekovski.
Ai rikujtoi se, me qëllim që qytetarët nga zonat e prekura të marrin në kohë këshilla për mbrojtjen personale nga pickimet e mushkonjave, është duke u zhvilluar një fushatë informuese përmes SMS-ve. Në kuadër të fushatës parashihet të dërgohen rreth 38.500 mesazhe te qytetarët në komunat e prekura.
Dje (18 gusht) janë dërguar 6.526 mesazhe – dërgimi filloi në komunën e Petrovecit (1.554 mesazhe), ndërsa më pas vazhdoi në komunën e Gazi Babës.
Gjithashtu, do të dërgohen edhe 31.365 mesazhe të tjera, të cilat gradualisht do t’u dërgohen qytetarëve gjatë periudhës së ardhshme.
Rezultatet e deritanishme tregojnë një nivel të lartë angazhimi – deri në 70% e mesazheve të dërguara janë lexuar nga marrësit, të cilët kanë vizituar edhe lidhjen me informacione shtesë të përfshirë në mesazh.
Ministri bëri thirrje që të respektohen rekomandimet për mbrojtje, si:
- Të hiqet uji i ndenjur nga oborret (pjatat e vazove të luleve, gomat e vjetra, kovat dhe enët e tjera) dhe të pastrohen rregullisht ulluqet.
- Të vendosen rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer.
- Të shmanget qëndrimi jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive.
- Të vishen rroba me mëngë të gjata dhe pantallona, si dhe të përdoren repelentë kundër mushkonjave.
-
Në rast të shfaqjes së simptomave (temperaturë e lartë, dhimbje koke, ngurtësi e qafës etj.), menjëherë të kërkohet ndihmë mjekësore dhe mjeku të informohet për qëndrimin e mundshëm në zonat e prekura.
Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë ta informojë rregullisht publikun për situatën epidemiologjike dhe për aktivitetet parandaluese të ndërmarra.



