BotaLajmeTopLajm

Këto janë tri kategoritë e njerëzve, që nuk guxojnë assesi ta marrin dot vaksinën për Covid19

Programi i vaksinimit kundër koronavirusit, i nisur javët e fundit në Britani,dhe disa ditë më parë edhe në Shtetet e Bashkuara, ofron shpresë se fundi i pandemisë së Covid-19 është i afërt. Megjithatë, ekzistojnë 3 grupe njerëzish, të cilët për momentin nuk do të lejohen t’i nënshtrohen vaksinës antiCovid të kompanisë “Pfizer”. Ja cilat janë ato dhe përse.

Njerëzit që kanë vuajtur nga alergji serioze.

Njerëzit që kanë pasur histori të reaksioneve alergjike kërcënuese për jetën ndaj një vaksine ose ushqimi, përjashtohen nga marrja e vaksinës së “Pfizer-BioNTech”. Vendimi u mor pasi 2 anëtarë të stafit të Shërbimit Shëndetësor Britanik patën një reaksion alergjik pas vaksinimit. Të dy punonjësit e kujdesit shëndetësor, secili me nga një histori të reaksioneve të rënda alergjike, ishin midis mijëra njerëzve që u vaksinuan në ditën e parë të fillimit të programit të vaksinimit masiv.

Edhe pse shumë e rrallë, anafilaksia është një efekt anësor i njohur, që mund të ndodhë me çdo vaksinë. Pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë e Mbretërisë së Bashkuar, theksoi se shumica e njerëzve të vaksinuar nuk do të preken nga anafilaksia dhe se përfitimet e mbrojtjes nga Covidi-19 janë më të mëdha se sa rreziqet nga efektet anësore.

Tek e fundit, asnjë vaksinë nuk do të miratohej ndonjëherë nëse nuk gjykohet e aftë që të përmbushë standardet rigoroze të sigurisë nga organi këshillimor i pavarur i Qeverisë britanike, Komisioni për ilaçet njerëzore.

Gratë shtatzëna

Gratë shtatzëna që dëshirojnë ta marrin vaksinën, këshillohen që të presin derisa të lindin. Edhe atyre që po përpiqen të mbeten shtatzëna, u sugjerohet të presin të paktën tre muaj pas marrjes së dozës së dytë para se të tentojë fekondimin.

E njëjta gjë vlen edhe për nënat e reja që ushqejnë fëmijën e tyre me gji: Është më mirë të ato të presin derisa të mbarojë gjidhënia, para se të marrin dozën e parë të vaksinës. Që të gjitha këto masa, lidhen me faktin se vaksina e “Pfizer-BioNTech”-ut kundër Covidit-19, është një lloj i ri vaksine, që është treguar efektive dhe që ka një profil të mirë sigurie. Por ajo nuk është testuar ende gjatë shtatzënisë, prandaj mungojnë të dhënat mbi efektet që ajo ka te ky grup i popullsisë.

Fëmijët dhe të rinjtë nën 16-vjeç

Aktualisht, ka të dhëna shumë të kufizuara për vaksinimin tek adoleshentët. Ndërkohë, informacioni për fëmijët më të vegjël është tërësisht inekzistent, pasi nuk ishte përfshirë në studimet klinike. Komiteti i Përbashkët i Vaksinimit dhe Imunizimit në Britani (JCVI), rekomandon që vaksinimi mund të bëhet pas një konsulte me prindërit vetëm për ata fëmijë që kanë një rrezik të lartë të ekspozimit për shkak të sëmundjeve kronike serioze. Sidoqoftë, po ky komitet shtoi se kur të mbarojnë studimet mbi fëmijët dhe gratë shtatzëna, do të kemi një informacion më të qartë mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave në këto kategori njerëzish.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close