LajmeRajon

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Kosova ka kaluar me sukses fazën e parë të procesit të aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis e cila vjen nga shteti i Greqisë, ku mes tjerash u rekomandua që Kosova ka përmbushur kushtet që të jetë anëtare e këtij institucioni.

Me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim shteti i Kosovës është më afër këtij institucioni të rëndësishëm evropian, por janë edhe dy procese tjera që pritet të ndodhin gjatë muajit prill dhe maj në Asamblenë Parlamentare dhe në Këshillin e Ministrave.

Por, ajo që ra në sy ishin katër votat kundër, dy prej tyre nga Serbia, një nga Mali i Zi, një gjithashtu nga Bosnja e Hercegovina dhe një abstenim nga Greqia.

Kjo temë nuk ka kaluar pa u diskutuar edhe në media e politikën e brendshme në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Realisht katër votat kundër fazës së parë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë nga katër deputetë të nacionalitetit serb që vijnë nga këto shtete.

Përfaqësuesja në Këshillin e Evropës nga Bosnja e Hercegovina është Snezhana Novakoviq – Bursaq, e cila vjen nga partia SNSD e Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë amerikane.

Novakoviq-Bursaq ka konfirmuar për median boshnjake Klix.ba se ka votuar kundër, ndërsa këtë vendim e ka shpjeguar duke thënë se ka votuar në emër të Bosnjë-Hercegovinës bazuar në qëndrimet e këtij shteti në relacion me Kosovën.

E pyetur nga kjo media se me urdhër të kujt votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja e partisë së Dodikut ka deklaruar se deputetët nuk kanë udhëzime votimi si ambasadorët.

Ndërsa, Maja Vukiçeviq, përfaqësuese nga Mali i Zi që ka votuar kundër është nga partia serbe “Partia Popullore Demokratike” në Mal të Zi, parti kjo me orientim pro – serb.

 

Natyrisht, edhe ajo ka thanë se “u qëndroj besnike bindjeve të mia ideologjike dhe parimeve politike, do të votoj kundër pranimit të Kosovës”.

Vukiçeviq thoshte paraprakisht se “pranimi i Kosovës në KiE do t’i hapte rrugën territoreve të tjera të diskutueshme që të kërkojnë anëtarësim”.

Dy votat kundër natyrshëm kanë ardhur edhe nga Serbia me përfaqësueset e saj Bilana Pantiq – Pila nga partia e Aleksandar Vuçiqit SNS dhe Dunja Simonoviq- Bratiq nga partia e Ivica Daçiqit, SPS.

Ndërsa, vota abstenim e Greqisë ishte nga partia e ish-kryeministrit, Aleksis Tsipras.

Ndryshe, pas kësaj faze janë edhe dy momentet të votimit, njëra në Asamblenë Parlamentare dhe tjetra në Këshillin e Ministrave, ku është fazë finale.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close