
Deputetët e partisë së krahut të djathtë “Vazraždanje” shkaktuan një incident të ri në parlamentin bullgar, pasi bllokuan sallën e Asamblesë Kombëtare gjatë leximit të dytë të amendamentit të Ligjit për Masat Kundër Financimit të Terrorizmit.
Kryetari i partisë, Kostadin Kostadinov, u ngjit në foltore dhe shpërtheu në fjalë fyese, për të cilat kryetarja e parlamentit, Natalija Kiselova, i tërhoqi vëmendjen.
Megjithatë, kjo nuk i ndaloi përfaqësuesit e “Vazraždanje” të cilët vazhduan me sulme verbale, ndaj mikrofonat në sallë u fikën, raporton Novine.bg.
Pavarësisht përpjekjes për të qetësuar situatën, Kostadinov kërcënoi se partia e tij do ta bllokonte përsëri sallën e parlamentit të nesërmen – këtë herë që në mëngjes herët.
Gjatë votimit të paragrafëve të ligjit, deputetët e “Vazraždanje” vazhdimisht ofendonin dhe prishnin punën e kuvendit. Atmosfera e tensionuar kulmoi kur deputeti i asaj partie, Concho Ganev, sulmoi fizikisht Javor Bozhankov nga koalicioni “Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB). Deputetët e tjerë ndërhynë shpejt në incident, duke i ndarë dy kolegët, dhe Ganev u sanksionua gjithashtu nga kryetari i parlamentit.



