
Atlético Madridi ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit kanadez Jonathan David, i cili i bashkohet klubit spanjoll nga Juventusi në formë huazimi për sezonin 2026/27.
David ka kaluar me sukses testet mjekësore në Madrid, përpara se të nënshkruante marrëveshjen dhe të bëhej zyrtarisht pjesë e skuadrës së Diego Simeones. Sulmuesi do të jetë një alternativë e rëndësishme në repartin ofensiv të “Los Colchoneros”.
I lindur në Brooklyn të New Yorkut më 14 janar 2000, David u rrit në Haiti dhe më pas në Kanada, ku nisi të zhvillojë karrierën e tij. Në vitin 2018 u transferua te Gent, ku shpërtheu në skenën evropiane, duke shënuar 37 gola në dy sezone.
Paraqitjet e tij në Belgjikë i siguruan transferimin te Lille, ku qëndroi për pesë sezone. Me klubin francez zhvilloi 232 ndeshje, shënoi 109 gola dhe regjistroi 31 asistime, duke fituar titullin e Ligue 1 dhe Superkupën e Francës.
Në verën e vitit 2025, David u transferua te Juventusi, ndërsa tash do të vazhdojë karrierën te Atlético Madridi. Ai është gjithashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Kanadasë me 42 gola, ndërsa në Botërorin e fundit realizoi tri herë. Te Atlético, kanadezi pritet të sjellë shpejtësi, lëvizshmëri dhe efikasitet në sulm.



