
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka paralajmëruar se SHBA-ja “do të pendohet për sulmet e saj të reja”, pasi forcat amerikane filluan goditjet ndaj objektivave të IRGC-së në Iran.
“Agresorët i pret një ndëshkim i ashpër”, tha zëdhënësi i IRGC-së, Sardar Mohebi, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA.
Deklaratat e Mohebit erdhën pak pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kishin filluar goditjet ndaj objektivave të IRGC-së në Iran.
Tensionet mes Teheranit dhe Washingtonit kanë mbetur të larta që nga fillimi i luftës me goditjet ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Një marrëveshje kornizë u nënshkrua në qershor me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit.
SHBA-ja nisi në korrik një fushatë bombardimesh dyjavore dhe rivendosi një bllokadë detare pas mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në ngushticë.



