
Në Ministrinë e Drejtësisë sot u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri i sapoemëruar, Jeton Shasivari, e mori zyrtarisht funksionin nga paraardhësi i tij, Igor Fillkov.
Me këtë rast, Shasivari u zotua se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim, përgjegjësi dhe transparencë, duke e vënë theksin te avancimi i sundimit të ligjit, forcimi i pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, si dhe vazhdimi i reformave në përputhje me përcaktimet strategjike të Qeverisë dhe agjendën evropiane të vendit.
“Ministria e Drejtësisë do të mbetet një institucion i hapur dhe profesional, i përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve, sundimit të ligjit dhe sigurimit të një sistemi gjyqësor efikas, të drejtë dhe të qasshëm”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Shasivari u zgjodh ministër i Drejtësisë në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, pasi Kuvendi votoi ndryshimet në përbërjen e kabinetit qeveritar.



