
Themeluesi i Këshillit për Marrëdhënie Etnike në Beograd dhe eksperti i zhvillimeve politike, Dushan Janjiç ka deklaruar se raportet ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe të akuzuarit për rastin Banjska, Milan Radojçiç janë delikate dhe jo dhe aq të mira.
Sipas tij, Radojçiç nuk është thjesht një figurë me të kaluar kriminale, por një lojtar jashtëzakonisht i fuqishëm dhe i rrezikshëm, i cili ka shtrirje më të madhe influence në pjesën e veriu të Kosovës sesa vetë presidenti i Serbisë.
“E dini, unë jam përplasur me Radoiçiçin, rreth vrasjes së Oliver Ivanoviçit dhe, mbi të gjitha, për shkak të kritikave të ashpra emocionale, por të argumentuara dhe të justifikuara, të Rada Trajkoviçit. Por, objektivisht, këtë e kam thënë atëherë dhe e përsëris edhe tani: Radoiçiç është një lojtar më serioz dhe më i fuqishëm në atë hapësirë të vogël sesa Vuçiçi.
Dhe ajo hapësirë e vogël nuk është vetëm Banjska, nuk është vetëm disiplinimi i Listës Serbe. Kjo shkon shumë më thellë, deri te bashkëpunimi me disa politikanë shqiptarë. Pra, Radoiçiç nuk është thjesht një kriminel. Ndoshta ka një të kaluar kriminale, por ai është një njeri i aftë, shumë i aftë për zbatim dhe mbikëqyrje, jo për planifikim,” tha ai.
Janjiç thotë se Radojçiç mund të ketë lidhje edhe me një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, përfshirë ata ndërkombëtarë, që e bëjnë atë një person të pa menaxhueshëm, teksa shton se nga veprimet e tij potenciale në të ardhmen ka shumë frikë Vuciç por edhe qarqet tjera në Beograd.



