
Nuk mund të plotësohet kërkesa e prindërve të fëmijëve me pengesa në zhvillim për punësim të përhershëm të asistentëve arsimorë. Këtë e thotë ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë. Arsyeja është se nevojat për asistentë arsimorë ndryshojnë çdo vit. Nëse nevojat rriten, atëherë rritet edhe numri i asistentëve.
“Asistentët arsimorë nuk punësohen në mënyrë të përhershme. Arsyeja është se nevojat për asistentë ndryshojnë çdo vit. Nëse nevojat rriten, ne rrisim numrin e asistentëve. Por fakt është se komisioni për vlerësim funksional vendos se cili fëmijë ka nevojë. Kur fëmija arrin përparim, komisioni vlerëson se nuk ka më nevojë për asistent, që është qëllimi kryesor – që fëmija me nevoja të veçanta arsimore të bëhet i pavarur në arsimin dhe jetën e tij”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Disa prindër publikisht kanë shprehur shqetësim se ndryshimet e shpeshta të asistentëve arsimorë krijojnë rrezik për regres në procesin arsimor të fëmijëve të tyre. Por Janevska thotë se ndonjëherë prindërit i ngatërrojnë asistentët arsimorë me asistentët personal, duke sqaruar se asistentët personal janë funksion krejtësisht tjetër.
Ministrja shton se qeveria e kaluar kishte 300 asistentë më pak sesa këtë vit. Atëherë ishin angazhuar rreth 1000 asistentë, ndërsa tani janë angazhuar 1876 për arsimin fillor.
“Nuk është e mundur punësimi i përhershëm i asistentëve arsimorë, sepse numri ndryshon dhe nevojat janë të ndryshueshme. Dhe nuk do të jap shpresë të rreme si në të kaluarën se do ta zgjidhim këtë nesër. Nëse në të ardhmen shfaqet mundësia që një numër i caktuar prej tyre të punësohen përhershëm, do ta pranoj me kënaqësi. Por numri i nxënësve në shkolla të ndryshme është i ndryshueshëm”, pohoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.



