
Izraeli, i akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve, të premten ka mbrojtur luftën e tij në Gaza gjatë paraqitjes në Gjykatë Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të OKB.
Ndërkohë që edhe kryeministri, Benjamin Netanyahu, të enjten ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid.
Izraeli ka mohuar zëshëm akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në një nga rastet më të mëdha që janë paraqitur ndonjëherë përpara një gjykate ndërkombëtare, raporton AP.
Avokatët e Afrikës së Jugut të enjten i kërkuan gjykatës të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite në territorin bregdetar të rrethuar, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Një vendim për këtë kërkesë pritet të marrë javë të tëra, megjithëse gjykimi për këtë rast pritet të zgjasë me vite.
Në parashtrimin e tyre, ata thanë se veprimet e Izraelit “kanë qëllim të sjellin shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të grupit kombëtar, racor dhe etnik palestinez”.
Sipas tyre, veprimet e Izraelit përfshijnë “vrasjen e palestinezëve në Gaza, duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda trupore dhe mendore, dhe duke u shkaktuar atyre kushte jete të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e tyre fizik”.
GJND-ja do të japë vetëm një opinion mbi pretendimin për gjenocid pasi çështja nuk është gjykim penal, megjithëse po vëzhgohet me vëmendje.



