
Ushtria izraelite tha më 4 nëntor se ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Izraeli e kishte akuzuar atë se kishte mbikëqyrur sulmet ajrore dhe me raketa kundërtanke ndaj forcave izraelite në jug të Libanit.
Abu Ali Rida, komandant i Hezbollahut në zonën Baraçi në jug të Libanit, u “eliminua” gjatë një sulmi ajror, tha ushtria izraelite, pa dhënë më shumë detaje.
Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban, që kur u intensifikuan luftimet mes palëve në fund të shtatorit. Në tetor, Izraeli madje nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.
Në javët e fundit, Izraeli ka vrarë disa komandantë të Hezbollahut, që është grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, por jo edhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Në mesin e udhëheqësve të vrarë nga Izraeli ishte edhe lideri paraprak i grupit, Hassan Nasrallahu.Përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut nisën në tetorin e vitit të kaluar, kur nisi edhe lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.



