
Njëri nga bashkëryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, në fjalimin e tij në Kongresin e bashkimit të mbajtur sot në Shkup, theksoi se ekzistojnë momente historike kur politika nuk është më vetëm garë, por nevojë për ndryshim dhe bashkim.
Para të pranishmëve, funksionarëve dhe delegatëve, ai tha se VLEN-i u krijua si përgjigje ndaj kërkesës së qytetarëve për një drejtim të ri politik dhe për një zë të përbashkët që synon ndryshimin.
Mexhiti deklaroi se forca të ndryshme politike u bashkuan përtej dallimeve, me synimin për t’i dhënë fund stagnimit dhe për të hapur një kapitull të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, ky bashkim ishte i domosdoshëm pas një periudhe të gjatë të skandaleve, përçarjeve dhe keqpërdorimit të institucioneve, duke shtuar se çdo ndryshim i madh kërkon guxim dhe vendosmëri.



