MaqedoniTopLajm

ITKSH promovon punen e tij për 2020, ja çfar thotë Skender Asani

Asani postoi një shkrim të bashkangjitur me një foto në rrjetet sociale konkretisht në facebook ku u shpreh:

”ITSHKSH PO E OFRON PIKËVËSHTRIMIN E VET NË DIZAJNIMIN E MENDIMIT SHKENCOR, BRENDA PARAMETRAVE TË OBJEKTIVITETIT

Ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhje në këtë prezantim të veprimtarisë hulumtuese – shkencore dhe botuese të Institutit brenda vitit 2020.
Kemi pasur fatin që në rrugëtimin tonë hulumtuese – shkencore të kemi edhe bashkudhëtarë nga jashtë, të cilët, me punën dhe kreativitetin e tyre i kanë dhënë një ritëm mjaft dinamik aktiviteteve tona. Një ndër ta, pa dyshim është edhe miku ynë, studiuesi i letërsisë, prof.dr. Anton Berisha, i cili na shoqëroi në shumë ide e projekte dhe kjo ka bërë që ai të ndjehet pjesë e Institutit tonë, dhe për rrjedhojë nga ai sot do të kemi edhe një vlerësim rekapitulues mbi punën një vjeçare të Institutit.
.Aktiviteti ynë i sotëm përkon edhe me një ditë të rëndësishme të historisë sonë. Bëhet fjalë për Besëlidhjën e Lezhës, ose Kuvendi i Princërve Shqiptarë, që u mblodh më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë. Organizatorë të kuvendit ishin prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti, me qëllim të bashkimit të sa më shumë principatave shqiptare për kundërvënie Perandorisë Osmane .
Besëlidhja parashihte formimin një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Sot gjithashtu jemi të nderuar që në kuadër të Institutit tonë do të promovojmë librin “Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe” e autorit Bajram Kosumi.

Sigurisht që për punën njëvjeçare të Institutit tonë do të flasin kolegët tjerë, por unë desha vetëm shkurt t’iu rikujtoj se zhvillimi i ideve dhe projekteve nga ana e hulumtuesve tanë shkencorë ka pasur si pikësynim ngritjen e vëmendjes publike në nivelet e duhura të formimit të mendimit kritik për tema të caktuara. Duke e pasur për objektiv këtë pikësynim, Instituti ynë ka hapur me sukses tema me interes shoqëror, dhe ka trajtuar guximshëm çështje që në të kaluarën kanë vuajtur nga stereotipet e caktuara. Mbi të gjitha, rolin e këtij Instituti ne e kemi kuptuar si një fushëveprim mjaft specifik, ku kontributi shkencor është i pazëvendësueshëm në imponimin e objektivitetit, si referencë e të gjitha të vërtetave. Nëse në një shoqëri ekzistojnë tema-tabu të caktuara të cilat mund të pengojnë komunikimin normal në mes të njerëzve, atëherë duhet të aktivizohet dija shkencore, si një instrument efikas në tejkalimin e paragjykimeve e stereotipeve.
Në këtë drejtim edhe Instituti ynë është munduar të ofrojë pikëvështrimin e vet në dizajnimin e mendimit shkencor, brenda parametrave të objektivitetit, paanshmërisë dhe qasjes humane ndaj problematikave të ndryshme.

Një prej objektivave kryesor të Institutit tonë ishte dhe mbetet nxitja e ideve e iniciativave me karakter publik e shoqëror.
ITSHKSH ka si synim edhe rifreskimin e kujtesës mbi ngjarjet e rëndësisghme nga e kaluara
Ajo për të cilën çdo institucion angazhohet, është vlerësimi që vjen nga të tjerët, si një dioptri që mat perfomancën dhe angazhimin në kuadër të aktiviteteve e ideve konkrete. Një vlerësim i tillë vitin e kaluar erdhi edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili në raportin më të ri ndërkombëtar për liritë fetare për vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut, përmend qartësisht edhe kontributin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Pa dashur të zgjatem më tepër, po e përmbylli këtë paraqitje timen me një konstatim se cilësia e punës së një Instituti shkencor varet nga shumë faktorë, të cilët mund të jenë edhe njerëzor, edhe menaxhues, edhe shkencorë, por pa harruar edhe faktorin financiar, si pjesë e politikave qeveritare për mbështetje të punës hulumtuese e shkencore në Maqedoninë e Veriut.
Nëse i hedhim një sy raportit në mes të vëllimit dhe cilësisë së punëve që kemi bërë si Institut dhe fondeve financiare që ndahen, do të shohim një shpërputhje të theksuar në dëm të projekteve e aktiviteteve hulumtuese-shkencore.
Me shpresë se politika financiare dedikuar fushëveprimit shkencor në të ardhmen do të ketë një trajtim më dinjitoz, dua të shprehi publikisht gatishmërinë time si drejtues i këtij Instituti që veprimtaria shkencore e hulumtuese do të jetë edhe më mobilizuese dhe më kreative, duke arsyetuar, fundja edhe objektivin madhor për të cilin ekziston ky Institut.

Shkup, 2 mars, 2021

Dr. Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH, Shkup” transmeton Top24.

Related Articles

Back to top button
Close
Close