BotaLajme

Irani i jep lamtumirën Khameneit me ceremoni pesëditore

Më shumë se katër muaj pasi u vra në ditën e parë të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Ali Khamenei, i cili e udhëhoqi vendin për më shumë se tri dekada me grusht të hekurt, më në fund do të varroset.

Duke nisur nga 4 korriku, Irani organizon atë që zyrtarët e përshkruajnë si një nga ceremonitë mortore më të mëdha dhe më komplekse në historinë e vendit: pesë ditë homazhe dhe ceremoni që do të zhvillohen në Teheran, Kom dhe Mashhad, me ndalesa edhe në Bagdad, Karbala dhe Najaf në Irakun fqinj, përpara se trupi i tij të prehet përfundimisht në faltoren e Imam Rezait më 9 korrik.

Ngjarja pritet të ketë përmasa ceremoniale që zakonisht mbahen për figurat themeluese të shtetit. Pas gati 37 vjetësh në pushtet, Khamenei largohet si udhëheqësi suprem me mandatin më të gjatë në historinë e Republikës Islamike dhe si një fuqi përcaktuese e historisë moderne të Iranit.

Sipas Taghi Rahmanit, aktivist për të drejtat e njeriut dhe bashkëshort i fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, kjo ceremoni e gjatë synon të shfaqë imazhin e një shteti që “ende qëndron në këmbë” dhe po rikthehet pas luftës. Ceremonia, po ashtu, do të përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga vdekja e dhjetëra mijëra iranianëve gjatë regjimit të Khameneit.

Rahmani shtoi se Republika Islamike po përpiqet të shfaqë forcë si ndaj audiencës ndërkombëtare, ashtu edhe brenda vendit, përmes frikës dhe autoritetit, edhe pse sipas tij, hendeku mes shtetit dhe shoqërisë iraniane është i thellë. Ai e përshkroi popullsinë iraniane si të varfëruar, të dobësuar, të shtypur dhe me plot pakënaqësi, por njëkohësisht të frikësuar nga vala e ekzekutimeve pas luftës.

Pse tani dhe pse në këtë mënyrë?

Funerali ishte planifikuar të mbahej në mars, jo shumë kohë pasi Khamenei u vra më 28 shkurt. Kjo nuk ndodhi dhe arsyet e shtyrjes flasin vetë për gjendjen në të cilën ndodhet Irani.

Planet u rishikuan vazhdimisht menjëherë pas vdekjes së Khameneit, pasi shteti ishte ende në luftë. Zyrtarët u përballën me dilema që lidhen me kërcënimet ndaj sigurisë, pasigurinë për pjesëmarrjen e delegacioneve të huaja dhe çështjen ende të pazgjidhur të pasardhësit të tij.

Si rezultat, trupi i Khameneit u ruajt për muaj të tërë, teksa Republika Islamike përpiqej të gjente një mënyrë për ta varrosur udhëheqësin e saj të dytë suprem pa rrezikuar që ceremonia të shndërrohej në kaos ose të bëhej vetë një çështje që do të rriste tensionet.

Siguria është tani shqetësimi kryesor. Burime i thanë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm rreth kompleksit të faljes Mosala në Teheran, prej nga do të nisë ceremonia mortore.

Organizatorët po përpiqen po ashtu të shmangin përsëritjen e dy tragjedive famëkeqe: shtypjen e turmave që ndodhi gjatë funeralit të ajatollah Ruhollah Khomeini në vitin 1989, kur humbën jetën tetë persona dhe mijëra të tjerë u plagosën, si edhe shtypjen gjatë varrimit të Qassem Soleimani në vitin 2020, ku humbën jetën dhjetëra njerëz. Zyrtarët provincialë në Korasan Razavi, ku do të varroset Khamenei, e kanë përmendur idenë e përdorimit të helikopterëve për të menaxhuar turmat rreth arkivolit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close