BotaLajme

Irani është gati të nis luftën bërthamore, ndërsa Perëndimi po e vë veten në pozitën e humbësit!

Mendësia e rëndomtë është e gabuar. Përball agresionit iranian kemi nevojë për përshkallëzim racional të kontrolluar nga fuqitë perëndimore, jo paqësim të pështirë, iluzione dhe qyqarllëk të ditëve të fundit. Regjimi duhet të ndëshkohet për nxitjen monstruoze të luftës, jo të zbutet dhe të qetësohet nga një bandë e injorantëve perëndimorë të cilët e ngatërrojnë dobësinë me virtytin.

Nëse Joe Bideni dëshiron të jetë president serioz, do të shpallte se mullahët në Teheran e kanë kaluar vijën e kuqe, se janë kërcënim ekzistencial për kombet e qytetëruara. Do të thoshte boll më, se asnjë vend nuk mund të gjuajë me qindra dronë dhe raketa mbi një nga fqinjët e vet e të mos ndëshkohet, se asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë të financojë terrorizmin, përdhunimet, torturat dhe vrasjet në shkallë industriale. Përmes shfaqjes së fuqisë, do ta njihte nevojën për të frenuar shtetet e tjera të batakçinjve.

Do të deklaronte se regjimi iranian duhet të trajtohet si pari e përjashtuar globale, siç edhe është bërë, se të gjithë vepruesit e tij të jashtëm duhet të shkatërrohen dhe se, mbi të gjitha, kurrë nuk do të lejohet të arrijë as për një milimetër pranë armëve bërthamore. Do ta krijonte një koalicion, duke përfshirë sa më shumë nga fqinjët arabë të Iranit. Do t’i vendoste sanksionet ekstreme. Do ta lejonte Izraelin t’ia jepte fundin Hamasin. Do të ndihmonte në goditjen e Hezbollahut.

Nëse gjithçka tjetër dështon, do ta përdorte fuqinë ushtarake amerikane për të shkatërruar instalimet bërthamore të Iranit – ashtu siç e bombardoi Izraeli reaktorin Osirak të Irakut në vitin 1981, si dhe lokacionin e Al-Kibari në Siri në vitin 2007. Nuk do ta pushtonte Iranin ose të impononte ndryshimin e regjimit: kjo varet nga populli i mrekullueshëm dhe i shumëvuajtur i Iranit. Por, do të frenonte dhe neutralizonte një nga lojtarët kryesorë në boshtin e së keqes dhe do ta bënte botën një vend më të sigurt.

Në botën reale, përfshirë David Cameronin, Bideni i përmbahet politikës së paqësimit kur është fjala për Iranin dhe përfaqësuesit e tij, edhe pse kjo strategji nuk arriti të frenojë fuqitë fashiste dhe imperialiste në vitet 1930, ndërsa do të dështojë ta bëjë këtë sërish në vitet 2020. Kjo nuk është as taktikë për të blerë kohë, ndërkohë që është vënë në zbatim plani aktual: politikanët tanë po luten që kriza e sotme të zgjidhet disi vetë.

Nuk zgjidhet. Refuzimi i Perëndimit për t’u përballur me realitetin do të thotë se ka gjithnjë e më shumë gjasa që Irani përfundimisht ta përfitojë armën bërthamore, dhe me shumë mundësi ta përdor atë kundër Izraelit i cili vetë është fuqi bërthamore – me këndvështrimin e qartë për ta shkaktuar një moment të ri historik. Bota po ecën drejt Luftës të Tretë Botërore me tri ose katër palë të cilat përfshijnë Iranin, Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut: Republika Islamike është lidhja më e dobët, më pak e vështirë për t’u përballur sot nëse do të kishim sens për të vepruar.

Në vend të kësaj, Kupola e Hekurt e bën më të lehtë për Perëndimin që ta mbyll njërin sy ndaj tentativave të pafundme të krimeve të luftës nga përfaqësuesit e Iranit. Nëse një raketë e financuar nga Irani – e lëshuar drejt qendrave civile izraelite – shkatërrohet dhe nuk e vret askënd, mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur kurrë. Nëse Izraeli sulmon me raketa dhe vret disa luftëtarë të Hamasit, mund të fajësohet për “reagim disproporcional”, do të demonizohet si agresor i vërtetë, duke e bërë kështu edhe më të lehtë për Perëndimin që ta minimizojë agresionin iranian. Është situatë kafkiane, ku veprimet dhe qëllimet nuk kanë rëndësi.

Kjo çmenduri është shtyrë në ekstreme të reja në këtë javë: në atë që normalisht do të konsiderohej akt historik lufte, Irani lëshoi qindra raketa balistike dhe kruzë mbi Izraelin. Megjithatë, për shkak se 99 për qind e tyre u rrëzuan, linja zyrtare është se sulmi ka qenë thjesht “performues” dhe se mund të lihet në harresë. Teherani i paralajmëroi vendet e ndryshme se ishte gati për të sulmuar – jo vetëm sepse do ta shkelte hapësirën e tyre ajrore – por, t’i thuash paraprakisht dikujt se po përpiqesh të vrasësh, kjo nuk është mbrojtje.

Shumë komentues pretendojnë gjithashtu se akti i luftës i Iranit ishte thjesht “hakmarrje” dhe se izraelitët nisën gjithçka duke bombarduar një ndërtesë pranë konsullatës siriane të Iranit, në një shkelje të supozuar të rregullave ndërkombëtare. E vërteta është se të vrarët ishin figurat kryesore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC, organizatë me të drejtë e sanksionuar si terroriste nga ShBA-ja, por – në mënyrë skandaloze – jo nga Mbretëria e Bashkuar), dhe asnjë diplomat nuk u dëmtua.

Sido që të jetë, Irani ka shumë vjet që është në luftë me Izraelin. Përshkallëzimi i vërtetë erdhi më 7 tetor. Larg nga respektimi i shenjtërisë diplomatike, Irani dhe Hezbollahu qëndronin prapa bombardimit të Ambasadës izraelite në Argjentinë në vitet 1990, siç konfirmoi një gjykatë në këtë javë. Megjithatë, perëndimorët, të cilët duhet ta dinë këtë më mirë, e shohin si më të përshtatshme që ta gëlltisin narrativën e rreme të Iranit.

E udhëzojnë Izraelin që të kthejë faqen tjetër, se çështja duhet të mbyllet se – siç tha Lordi Cameron – duhet “të mendojnë me kokë dhe jo me zemër” e që – sipas frazës së Bidenit – kështu duhet të “fitojnë”. Qëkur sulmi me raketa balistike, diçka që nuk i ka ndodhur kurrë asnjë vendi perëndimor, cilësohet si “fitore”?

Izraeli do të goditet për “përshkallëzimin”, menjëherë pas kundërpërgjigjes. Do të ketë më shumë fajësime për viktima, standarde të dyfishta flagrante, rishkrim të historisë, rregulla të veçanta që vlejnë vetëm për Izraelin dhe akoma më shumë do të ketë normalizim të sjelljes ekstreme ndaj shtetit të vetëm hebraik, të gjitha këto me qëllimin që të lejohet Perëndimi që të shmang veprimet kundër Iranit.

“Strategjia” e Bidenit po shteret nga Teherani qëkur ai u zgjodh. Dorëzoi miliarda dollarë për pagesa të haraçit. E rinovoi heqjen dorë nga sanksionet të cilat ia mundësojnë regjimit të ketë qasje në një qyp prej 10 miliardë dollarëve nga shitja e energjisë elektrike në Irak. Ka lejuar që prodhimi i naftës i Iranit të rritet në nivelin më të lartë në pesë vjet e gjysmë, duke dështuar në zbatimin e duhur të regjimit të sanksioneve dhe duke ia lejuar shitjet në Kinë. Nuk ka mbetur asnjë pengesë: Irani mund të bëjë gjithçka që dëshiron, dhe madje mund të llogarisë se Bideni do të ushtrojë presion mbi Izraelin që të mos kundërpërgjigjet.

Amerika nuk e ka një plan afatgjatë kuptimplotë për ta kontrolluar Teheranin, ose për ta shkatërruar Hamasin, Lëvizjen Huti ose Hezbollahun, ose për të çrrënjosur radikalizimin në territoret palestineze për t’u siguruar që, me kalimin e kohës, të shfaqet udhëheqja e re e gatshme për ta njohur ekzistencën e Izraelit, duke ia hapur kështu rrugën zgjidhjes të qëndrueshme me dy shtete. E ka futur kokën në rërë.

Mesazhi që i dërgohet çdo diktatori tjetër është ai se Perëndimi është kaq nevojtar për të shmangur çdo konfrontim të mëtejshëm, saqë do të mbyll njërin sy për pothuajse çdo gjë. Megjithatë, ata që e kërkojnë paqen me çdo kusht, në mënyrë të pashmangshme përfundojnë në luftë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close