
Ndërsa futbollistët e Interit shijojnë ditën e pushimit, drejtuesit e klubit, trajneri dhe stafi teknik po punojnë me orë të plota. Presidenti Marotta, Drejtori Sportiv Ausilio, zv/drejtori Sportiv Baccin dhe trajneri Chivu paraditen e kësaj të marte kanë zhvilluar një takim në selinë e klubit për të folur për të ardhmen afatgjatë, organzimimin e sezonit të ardhshëm si dhe për temën që apasionon më shumë tifozët që është merkatoja e transferimeve.
Kush do të largohet nga Interi në verë? Përsa iu përket largimeve, janë të sigurta ato të Acerbit, Sommer dhe Darmian të cilëve iu skadon kontrata. De Vrij mund të rinovojë dhe të qëndrojë, ndërsa Mkhitaryan që është edhe ai në mbyllje të kontratës, do të duhet të zgjidhë dilemat; do të tërhiqet apo do të vazhdojë të luajë. Situata e Josep Martinez është në evoluim e sipër; spanjolli dukej i destinuar të largohej, por fitoi terren dhe mund të bëhet portieri titullar. Edhe çështja e Alessandro Bastonit nuk është e mbyllur, Barcelona hoqi dorë dhe tani duhet kuptuar nëse do të jetë një zgjedhje përfundimtare apo jo. Interi dëshiron ta mbajë dhe do të lejonte largimin e tij vetëm në rast të një oferte mbi 60 milionë euro. Ndërsa për Davide Frattesi duket se është momenti i duhur për t’u larguar, ndërsa ai që duket se do të qëndrojë edhe pa rinovim të kontratës është Hakan Calhanoglu. Për t’u monitoruar është situata e Luis Henrique i cili do të lejohet të largohet për 25-30 milionë euro si dhe ajoi e Denzel Dumfries që ka një klauzolë në kontratën e tij prej 25 milionë eurosh e vlefshme në korrik. Përsa i përket repartit të sulmit nuk do të ketë revolucion, të gjithë janë të konfirmuar, Sebastiano Esposito u transferua përfundimisht te Cagliari pasi ky i fundit siguroi qëndrimin në Serie A
Situatat pezull. Benjamin Pavard dhe Kristjan Asllani do të kthehen nga huazimet respektive, por nuk do të qëndrojnë; klubi do të duhet të gjejë të tjerë blerës. Pas rënies nga kategoria, Pisa vështirë se do të mbaj Ebenezer Akinsanmiro, Valentin Carboni do të qëndrojë te Racing me huazim, Tomas Palacios është në përkohësisht te Estudiantes La Plata deri në janar të 2027.
Sa do të mund të shpenzojë Interi në muajt e verës? Buxheti nuk është përcaktuar zyrtarisht, por sipas zërave, Oaktree do të investojë nga llogaritë e tij jo më pak se 50 miliinë euro pa llogaritur këtu të ardhurat që Interi pret të arkëtojë nga shitjet; në total buxheti pritet të jetë rreth 100 milionë euro.



