Inteligjenca artificiale “fyen” Erdoganin, Turqia bllokon Grok-un e Elon Musk,

Një gjykatë turke ka urdhëruar bllokimin e qasjes në Grok, chatbot-in e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kompania xAI, e themeluar nga Elon Musk. Vendimi erdhi pasi Grok gjeneroi përgjigje që autoritetet i cilësuan si fyese ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Çështjet që lidhen me paragjykimet politike, gjuhën e urrejtjes dhe saktësinë e chatbot-eve me inteligjencë artificiale janë bërë shqetësime të rëndësishme që prej lançimit të ChatGPT nga kompania OpenAI në vitin 2022, raporton Reuters.
Ndërkohë, Grok është akuzuar gjithashtu për përmbajtje antisemitike dhe lëvdata ndaj Adolf Hitlerit.
Zyra e Kryeprokurorit në Ankara ka njoftuar nisjen e një hetimi zyrtar për këtë incident, duke e bërë këtë ndalim të parin në Turqi që prek drejtpërdrejt një mjet të inteligjencës artificiale.
As platforma X, ku Grok është i integruar, dhe as pronari i saj, Elon Musk, nuk kanë komentuar mbi vendimin.
Muajin e kaluar, Musk premtoi përmirësime për Grok, pas kritikave në rritje për përmbajtjen e tij.
Sipas mediave, Grok ka gjeneruar përmbajtje fyese për Erdoganin kur iu drejtuan pyetje të caktuara në gjuhën turke.
Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit i Turqisë (BTK) ka miratuar ndalimin, duke iu referuar një urdhri gjyqësor dhe shkeljeve të ligjeve vendase që e bëjnë fyerjen ndaj presidentit një vepër penale, e dënueshme deri në katër vjet burg.
Kritikët e qeverisë thonë se ky ligj përdoret shpesh për të shtypur zërat opozitarë, ndërsa autoritetet e justifikojnë si mjet për mbrojtjen e dinjitetit të institucionit të Presidentit.



