
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, bashkë me kryetarin e Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, kanë parë nga afër ecurinë e punimeve për pastrimin e kanaleve të ujitjes në zonën e komunës.
Ky proces po zbatohet nga SHA Ekonomia e Ujërave, ndërsa mbështetje për zhvillimin e aktivitetit ka ofruar edhe Komuna e Bogovinës, e cila përmes ndërmarrjes komunale ka angazhuar mekanizim, punëtorë dhe mjete.
Gjatë inspektimit, Hoxha nënvizoi se mirëmbajtja e vazhdueshme e rrjetit të ujitjes përbën një kusht të domosdoshëm për një sezon të mbarë bujqësor dhe për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të tokave.
“Ky është një shembull i mirë se si bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal sjell rezultate konkrete për qytetarët. Falënderoj kryetarin Feti Abazi për përkushtimin dhe mbështetjen konkrete në realizimin e këtyre punimeve. Vetëm me koordinim dhe angazhim të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem ujitjeje më funksional dhe mbështetje më të madhe për fermerët”, deklaroi Hoxha.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të vijojë bashkëpunimin me komunat për zbatimin e aktiviteteve që ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e bujqësisë.






