LajmeRajon

​Hoti: Kosova po mbetet prapa në raportet me SHBA-në, Serbia po forcon bashkëpunimin strategjik

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë ai, ngecjen e marrëdhënieve strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e krahasuar situatën me zhvillimet në Serbi.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se dialogu strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së vazhdon të jetë i pezulluar, ndonëse Kosova, sipas tij, është vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë.

Ai theksoi se, në të njëjtën kohë, Serbia do të nisë të premten raundin e parë të dialogut strategjik me SHBA-në.

“Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në. Ndërsa, fqinji verior i Kosovës e nis këtë të premte raundin e parë të këtij dialogu me SHBA-në”, shkruan Hoti.

Hoti kritikoi gjithashtu vendimin e Kosovës për të mos u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet shpërndarja e gazit amerikan me qëllim të uljes së varësisë së vendeve të rajonit nga gazi rus.

Sipas tij, ndërkohë që Kosova ka refuzuar këtë projekt, Serbia tashmë ka lidhur marrëveshje të mëdha energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së paralajmëroi se vazhdimi i kësaj qasjeje mund ta lërë Kosovën të izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësi për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe për rritjen e sigurisë energjetike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close