
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka bërë me dije përmes një interviste për TVM2 se Aleanca për Shqiptarët ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë procesit të përgatitjes së ligjit për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë.
Ai theksoi se pas heqjes së balancuesit, Aleanca për Shqiptarët propozoi një draft që synon barazinë reale.
Sipas deputetit, pavarësisht kontributit të Aleancës për Shqiptarët, qeveria aktuale po vazhdon me taktizime duke vonuar miratimin e ligjit. Ai theksoi se ligji nuk është dërguar direkt në Kuvend, por është duke do të shqyrtohet në Komisionin e Venedikut, gjë që mund të shkaktojë vonesa dhe të ndikojë negativisht në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve.
“Ky është një ligj që është dashur të vijë në Kuvend para nëntë muajve. Kemi kërkuar që ligji të vijë në Kuvend, por jo në këtë mënyrë të degraduar. Kjo është tallje me shqiptarët. Ne nuk do të lejojmë që në emër të përfaqësimit të drejtë të instalohen mekanizma që e relativizojnë meritën dhe profesionin. Qëllimi i ligjit është të zëvendësojë balancuesin, por përfundon duke zëvendësuar shqiptarët në institucionet shtetërore”, thekson Snopçe, përcjell PressOnline.al
Sipas tij, propozim ligji për përfaqësim adekuat nuk është i njëjti me atë që është punuar kur ata ishin në pushtet. Thekson se pr/ligji nuk e plotëson kushtin e sanksioneve detyruese në rast moszbatimi.
Në analizën e tij, deputeti kritikoi mungesën e mekanizmave efektivë dhe sanksioneve në draftin aktual të ligjit, duke e cilësuar atë si një formë fasade që nuk garanton zbatim real dhe rrezikon vazhdimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në administratën shtetërore dhe vendimmarrëse.
Ai shtoi se gjatë kohës sa Aleanca për Shqiptarët ka qenë pjesë e qeverisë, ka kërkuar vazhdimisht plotësimin e kushteve ligjore dhe kushtetuese për përfaqësim të drejtë, por ka hasur në mungesë vullneti dhe angazhimi. Pa mekanizma të qartë dhe masa konkrete, ligji rrezikon të dështojë si një instrument për ndryshim real.
Si opozitë, deputeti tha se Aleanca për Shqiptarët ka vetëm mjetet e kritikës, pasi mungon bashkëpunimi efektiv ndërmjet liderëve shqiptarë dhe një strategji e përbashkët për të avancuar çështjen e përfaqësimit adekuat në administratë.
Ai përfundoi duke theksuar nevojën urgjente për bashkëpunim dhe angazhim të të gjitha forcave politike shqiptare për të siguruar që ligji të zbatohet dhe të ndërpritet diskriminimi ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore.



