
Brenda një muaji, gripi i shpendëve në Shqipëri ka shuar disa biznese me pula. Sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, deri më tani kanë ngordhur 497 986 pula në dy kompanitë “Rea’s” dhe “AIBA”, të prekura nga influenca aviare H5N1.
Ministria e Bujqësisë ka dalë me një deklaratë publike për mediat, ku bën me dije se pulat e ngordhura tashmë janë asgjësuar. E njëjta thotë se asgjësimi i tyre është bërë përmes procesit të djegies, por pa dhënë më tepër detaje mbi vendin.
Ndërkaq, “Report Tv” raportoi se deri më tani janë asgjësuar mbi 975 mijë vezë të kontaminuara (561.180 kokrra veze tek Rea’s dhe 413.880 kokrra veze AIBA), pasi ndodheshin në depot ku u infektuan shpendët.



