
E përditshmja sportive italiane “Corriere dello Sport” raportoi dje një lajm jo të mirë për “Djallin”: “Milani është tashmë 60 milionë euro në minus. Çukvueze, Musah dhe Benaser rikthehen. Miliona euro të humbura”.
Sipas gazetës, Samuel Çukvueze, Junus Musah dhe Ismael Benaser do të kthehen në Milano pas përfundimit të huazimeve të tyre, pasi klubet respektive nuk kanë ndërmend të aktivizojnë opsionet e blerjes përfundimtare. Fulham nuk pritet të blejë Çukvuezen, Atalanta ka vendosur të mos investojë për Musah, ndërsa Dinamo Zagreb nuk do të ushtrojë të drejtën e blerjes për Benaserin.
Kjo do të thotë se në arkat e Milanit nuk do të hyjnë rreth 60 milionë euro të parashikuara nga këto operacione. 26 milionë euro për sulmuesin nigerian, 24 milionë euro për mesfushorin amerikan dhe 10 milionë euro për mesfushorin algjerian. Nga të tre, vetëm Çukvueze duket se ka ende një shans të vogël për të qëndruar në Angli. Nigeriani ka zhvilluar një sezon pozitiv me Fulhamin, por një transferim përfundimtar mund të realizohet vetëm nëse Milani pranon të ulë kërkesat financiare.
Megjithatë, klubi kuqezi ka siguruar tashmë rreth 30 milionë euro nga transferimet përfundimtare të Aleks Himenez, Tomazo Pobega dhe Lorenco Kolombo. Kjo zbut pjesërisht goditjen fi nanciare, por rikthimi i tre lojtarëve të huazuar mbetet një problem i rëndësishëm për planet e merkatos së Milanit.



