
Gjermania ka thirrur për bisedime urgjente ambasadorin e Kinës në Berlin, pas raportimeve të mediave sipas të cilave ushtarë rusë janë trajnuar fshehtazi në territorin kinez me mbështetjen e aktorëve shtetërorë.
Ministria e Jashtme gjermane i cilësoi raportimet si “thellësisht shqetësuese”, duke deklaruar se çdo mbështetje që i mundëson Rusisë të vazhdojë luftën kundër Ukrainës përbën një kërcënim edhe për sigurinë e Gjermanisë.
“Çdo gjë që i mundëson Rusisë të vazhdojë luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës përfaqëson gjithashtu një kërcënim për sigurinë tonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Raportimet u publikuan fillimisht më 20 maj nga gazeta gjermane Die Welt, e cila, duke cituar dokumente të klasifikuara të shërbimeve evropiane të inteligjencës, pretendoi se Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës kishte trajnuar në mënyrë të fshehtë disa qindra ushtarë rusë në territorin kinez.
Më pas ishte agjencia e lajmeve Reuters, ajo e cila verifikoi se ushtarë rusë ishin çuar për trajnime sekrete në Pekin.
Sipas të njëjtit raport, një pjesë e këtyre ushtarëve janë dërguar më pas në frontin e luftës në Ukrainë.
Pekini ka deklaruar vazhdimisht se mban një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, ndërsa vendet perëndimore e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se i ofron Rusisë mbështetje ekonomike dhe teknologjike që ndihmon industrinë e saj ushtarake, akuza që Pekini i mohon.
Çfarë thotë raporti?
Rusia ka miratuar në nivelet më të larta të udhëheqjes ushtarake zhvillimin e stërvitjeve sekrete me Kinën, të lidhura me luftën në Ukrainë, sipas një hetimi të publikuar nga Reuters, i cili bazohet në dokumente të klasifikuara dhe burime evropiane.
Sipas raportit, ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, ka autorizuar personalisht dërgimin e një delegacioni ushtarak në Kinë gjatë vitit 2025 për të marrë pjesë në programe trajnimi në objektet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA).
Dokumentet e siguruara nga Reuters tregojnë se të paktën katër gjeneralë rusë dhe kinezë kanë marrë pjesë në programet e bashkëpunimit ushtarak, duke sinjalizuar rëndësinë strategjike që Moska dhe Pekini i japin këtij partneriteti.
Trajnime për luftë kimike, biologjike dhe radiologjike
Një nga kurset e zhvilluara në Pekin ka zgjatur tre javë dhe është përqendruar në mbrojtjen ndaj kërcënimeve radiologjike, biologjike dhe kimike (CBRN).
Sipas dokumenteve, ushtarakët rusë janë trajnuar mbi zbulimin e ndotjes kimike dhe radioaktive, mbrojtjen e sistemeve të ventilimit nga kontaminimi, si edhe procedura të tjera të mbrojtjes në rast të përdorimit të armëve kimike apo biologjike.
Reuters publikon gjithashtu fotografi që tregojnë instruktorë kinezë duke trajnuar personelin rus në akademitë ushtarake kineze.
Kina mohon akuzat
Ministritë e Mbrojtjes së Rusisë dhe Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme kineze i hodhi poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pabazuara”, ndërsa përsëriti se Pekini ruan një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë dhe mbështet zgjidhjen diplomatike të konfliktit.
Edhe Kremlini ka refuzuar më parë të komentojë raportime të ngjashme, duke i cilësuar ato si dezinformim të prodhuar nga Perëndimi.
Shqetësim në Bashkimin Evropian
Raporti ka shtuar shqetësimet në Bashkimin Evropian për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Pekinit.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar më herët se Brukseli ka konfirmuar përmes kanaleve të veta të inteligjencës se trajnimet kanë ndodhur dhe po vlerëson pasojat e tyre.
Sipas Reuters, brenda institucioneve evropiane po diskutohet nëse duhen ndërmarrë masa të reja ndaj Kinës, duke pasur parasysh rolin e saj si partner i rëndësishëm tregtar, por edhe shqetësimet në rritje për mbështetjen që i jep Rusisë në fushën e mbrojtjes.
Dokumentet e shqyrtuara nga Reuters tregojnë gjithashtu se Ushtria ruse ka vlerësuar pozitivisht pajisjet dhe simulatorët e përdorur nga ushtria kineze, ndërsa ka evidentuar si dobësi mungesën e përvojës luftarake të Kinës, në kontrast me përvojën e fituar nga forcat ruse gjatë më shumë se katër viteve të luftës në Ukrainë.



