
Zyrtarët policorë të SPB Tetovë, në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale ku shfaqen të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobërdoll të Gostivarit, kanë kryer bastisje në disa lokacione. Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një person është ftuar për bisedë zyrtare. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion.
Në orën 18:00, siç njofton MPB, është kryer bastisje te I.S. (21) nga fshati Dobërdoll, ndërsa në orën 18:05 te A.I. (30), po ashtu nga Dobërdolli, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz. Në të njëjtën kohë është kryer bastisje edhe te I.B. (25) nga Dobërdolli.
“Në orën 18:15 është kryer bastisje në shtëpinë e B.A. në Dobërdoll, ku janë gjetur 30 fishekë për pistoletë me gaz, ndërsa në oborr janë gjetur 27 gëzhoja të shkrepura nga pistoletë me gaz dhe një fishek për armë gjahu. Janë privuar nga liria B.A. (46) dhe djali i tij M.A. (21), të dy nga Dobërdolli”.
Më pas, vijon më tej njoftimi i policisë, në orën 18:25 është kryer bastisje te T.M. (26) nga Dobërdolli, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. Pas kësaj ai është arrestuar, ndërsa S.M. është ftuar për bisedë zyrtare.
“Të gjithë personat janë dërguar në stacion policor për procedurë të mëtejshme dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse”.



